Disa uebfaqe të mediave ruse duket se janë hakuar dhe të paktën tre prej tyre po shfaqin mesazhe kundër luftës dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Të dashur qytetarë. Ne ju bëjmë thirrje që të ndaloni këtë çmenduri, mos i dërgoni në vdekje të sigurt djemtë dhe burrat tuaj. Putini na bën të gënjejmë dhe na vë në rrezik. Ne kemi qenë të izoluar nga e gjithë bota, nafta dhe gazi nuk tregtohen më. Pas disa vitesh, ne do të jetojmë si në Korenë e Veriut. Pse na duhet kjo? Për ta futur Putinin në tekste shkollore? Kjo nuk është lufta jonë, le ta ndalojmë! ”, thuhet në një mesazh të shkruar në rusisht në faqet e Forbes Russia, Fontanka dhe Takie Dela.
Mesazhi është nënshkruar nga Anonymous, grupi i hakerëve dhe nga një grup që thonë se janë "gazetarë që kujdesen".
“Ky mesazh do të fshihet dhe disa prej nesh do të shkarkohen apo edhe burgosen. Por ne nuk mund ta durojmë më këtë”, thanë ata.
Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, Kommersant dhe Izvestia gjithashtu u hakuan. Faqja e internetit TASS po shfaq gjithashtu të njëjtin mesazh kundër luftës. Përdoruesit e mediave sociale, raportuan se kishin parë të njëjtin mesazh në faqet e internetit Kommersant dhe Izvestia.
Ditën e djeshme, grupi i njohur i hakerave Anonymous përmes një video-mesazhi kërcënoi presidentin rus Putin se do të ndërmarrin sulme që do të godasin rrjetin informatikë të Rusisë. Anonymous i kanë kujtuar Putin se do të përballet me sulme që do të kërcënojnë sigurinë e Rusisë.