Ishte strehuar në shtëpinë e tezes, 50-vjeçari nga Selenica i shpëton atentatit të dytë për hakmarrje, mbetet i plagosur

1 Gusht 2020, 09:23| Përditesimi: 1 Gusht 2020, 14:12

  • Share

TIRANE-50-vjeçari Nihat Xhaferaj i ka shpëtuar atentatit të dytë. Në mesnatë, rreth orës 00:30 ai është qëlluar më armë zjarri në banesën e tezes 70-vjeçe ku ishte strehuar në Fier, pasi ishte larguar nga Selenica si pasojë e hasmërisë me fisin Llanaj. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Mbrostar-Ferko në Fier.

Fatmirësisht Nihat Xhaferaj ka shpëtuar me një plagosje. Fillimisht ai u dërgua në spitalin e Fierit për ndihmë më pas në Tiranë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët pas e qëlluan u larguan me shpejtësi me një makinë tip "Benz" e cila pak minuta më vonë u gjet e djegur në aksin rrugor Fier-Levan, në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Levanit". Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në zonën rreth pallatit janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar dhe shkuar në gjurmët e autorëve që qëlluan 50-vjeçarin. Nihat Xhaferaj janë në hasmëri me fisin Llanaj në Vlorë dhe kjo është një nga pistat ku po hetohet aktualisht. Historia e hakmarrjes ka nisur me vrasjen e babait të Nihat Xhaferaj në vitin 1998.

Ora 11:43
Nihat Xhaferaj i shpëtoi atentatit të dytë, hakmarrja mes fiseve në Vlorë që nisi në 1998

Nihat Xhaferaj i shpëtoi atentatit mbrëmjen e djeshme në Fier në banesën e tezes së tij, ku u qëllua me armë zjarri, ndërkohë që autorët u larguan nga vendngjarja me një makinë të tipit "Benz", e cila më vonë u gjet e djegur. Një nga pistat ku po hetohet është hasmëria dhe konfliktet me fisin Llanaj në Vlorë. Konfliktet dhe hasmëria mes dy fiseve Llanaj-Xhaferaj në Vlorë, kanë sjellë një sërë atentatesh që prej vitit 1998.

Konflikti ndërmjet fiseve Llanaj dhe Xhaferaj ka nisur në vitin 1998, kur u vra me armë në Selenicë të Vlorës Gjysho Xhaferaj. Baftjar Llanaj u akuzua nga prokuroria për vrasjen e tij. Nuk kaloi shumë dhe në qershor 2011 u ekzekutua në Vlorë Baftjar Llanaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 qershor 2011 rreth orës 18:00 në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i Malit”. 60-vjeçarit Llanaj iu zu pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Pas krimit policia arrestoi autorin Sako Xhaferaj, nipi i Gjysho Xhaferaj, pasi Sako kishte mbetur vetë i plagosur në këtë ngjarje të rëndë.

Në shtator 2011, tentohet të vritet Nihat Xhaferaj, djali i viktimës Gjysho Xhaferaj të vrarë në 1998.  Për ngjarjen u akuzua Altin Aliaj, nipi i familjes Llanaj. Pas krimit u arrestua Altin Aliaj, i cili më pas u lirua nga gjykata. Në janar 2012 u vra në atentat Nure Xhaferri 52 vjeç, djali tjetër i Gjysho Xhaferaj. Ndërkohë që ditën e sotme i është bërë sërish atentat Nihat Xhaferajt, djalit të viktimës Gjysho Xhaferaj, pikënisjes së hasmërisë në vitin 1998.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria humb me Italinë, a ka shanse të kalojë grupin në Euro 2024?