Një nxënëse e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës është fituese e edicionit të dytë të “Festivalit të Napolit në Shqipëri”, që u zhvillua në qytetin bregdetar.
16-vjeçarja Xhaneta Nelaj u shpall fituese pas konkursit-spektakël mes tetë konkurrentëve, kryesisht student dhe nxënës shqiptarë dhe italianë me banim në vendin tonë.
Dhjetëra artdashës të këngës napoletane ndoqën konkurrimin që zhvillohet për herë të dytë në Durrës dhe që u organizua në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Juria e drejtuar nga Ermir Dizdari vlerësoi me çmimin e parë nxënësen këngëtare Xhaneta Nelaj e cila u paraqit me këngën “Voce note”.
Dy këngëtaret italiane Imma D’inverno dhe Enrica La Femmina, të cilat fituan edicionin e gjashtë të këtij festivali që u zhvillua në Napoli përshëndetën pjesëmarrësit në konkurim. Bashkë me to shikuesit duartrokitën edhe këngëtarët e ftuar Luljeta Strefi dhe Alban Kamenica.
Shoqata “New Umor Sound” me selinë Durrës ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes si e ftuar ne festivalin e njohur që zhvillohet në Napoli. Një nga drejtuesit e kësaj shoqate, Giuseppe Palumbo tha se vitin e kaluar në Napoli u paraqitën këngëtarët fitues të edicionit të parë Enea Cerashi dhe Fatma Mema.
Shoqata ka organizuar koncerte të artistëve italianë në teatrin “Moisiu” si dhe në amfiteatrin antik të qytetit, si dhe disa work shop-e me muzikantë të njohur napoletanë.