Meta dhe Berisha, Kuvendi i Shqipërisë

Nisma ligjore / 17 deputetët e PD-së që kërkojnë hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, grupi i Foltores nuk firmosi! A rrezikohen Berisha dhe Meta?

8 Shtator 2022, 10:44| Përditesimi: 8 Shtator 2022, 11:42

  • Share

Krahas socialistëve, të cilët kanë depozituar dy nisma ligjore për verifikimin e politikanëve që kanë marrë certifikata pastërtie nga komisionet Mezini-Bezhani si dhe për largimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit nga Kuvendi dhe politika, 17 deputetë të Partisë Demokratike kanë firmosur dhe depozituar një projektligj në Kuvend, për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Kanë firmosur nismën për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit deputetët Enkelejd Alibeaj, Helidon Bushati, Orjola Pampuri, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Lefter Gështenja, Andia Ulliri, Arbi Agalliu, Saimir Koreshi, Dashnor Sula, Merita Bakiu, Tomor Alizoti, Selaudin Jakupllari, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji dhe Flamur Hoxha,

Bie në sy se grupi i Foltores, rrjedhimisht i Sali Berishës, nuk ka firmosur nismën ligjore për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Për herë të parë, Partia Demokratike ndahet edhe sa i takon dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, një çështje e përdorur për shantazh dhe gjueti shtrigash, por që faktorët politikë kanë deformuar, penguar dhe sabotuar çdo nismë ligjore gjatë tre dekadave për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Nisma ligjore parashikon një shtesë në nenin 13 të ligjin e vitit 199 për informacionin sekret shtetëror, duke deklasifikuar të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me përjashtim të dokumenteve që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.

“31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e plotë të asaj që ishte diktatura më e egër dhe me çnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjerë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë që ishte ana më e errët e saj, pikërisht Sigurimi i Shtetit. Kjo strukturë përfaqësonte frikësimin, dhunën dhe terrorin që shteti diktatorial kërkonte të depërtonte në mendjen e çdo qytetari shqiptar, për të parandaluar çdo lloj përpjekje kundërshtie apo revolte. Në këtë rast është e qartë se e drejta, interesi dhe mundësia për të mësuar të vërtetën historike të Shqipërisë së viteve 1944- 1991, prevalon mbi nevojat që mund të ketë shteti për ta mbajtur këtë informacion të klasifikuar. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë treguar mjaft të kujdesshëm duke përjashtuar nga aplikimi i kësaj dispozite, ato dokumente të ish-Sigurimit te Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.

Ky projektligj, është shoqëruar nga një tjetër nismë ligjore për dekomunistizimin e shtetit dhe politikës në Shqipëri, duke e çuar kështu në katër numrin e projektligjeve për zbulimin dhe ndëshkimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit. Ish-deputeti Spartak Braho tha dje në Report Tv se edhe Sali Berisha ka një dosje si bashkëpunëtor me ish-Sigurimin e shtetit.

“Berisha ka dosje, ka qenë ish bashkëpunëtor, siç ka pasur edhe Rama edhe Meta, po këto jo si bashkëpunëtor. Berisha ka qenë bashkëpunëtor i mirëfilltë. Ka politikanë aktiv që kanë qenë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, në qeverinë e parë të Berishës në 1992, që kishte rreth 28 ministra, 9 kanë qenë bashkëpunëtor të Sigurimit”, tha Braho.

Ndërkaq, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, e ka hedhur poshtë këtë certifikatë sigurie të Ilir Metës, duke e implikuar në ish Sigurimin e Shtetit. Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo. Autoriteti kërkoi heqjen e pengesës ligjore për të verifikuar Metën dhe të gjithë ata që tundin certifikatat e pastërtisë së figurës.

Si Berisha, ashtu edhe Meta kanë mohuar që të kenë qenë bashkëpunëtorë me ish Sigurimin e Shtetit. Mbetet për t’u parë nëse dyshja do të votojë apo jo nismën për hapjen e dosjeve të ish Sigurimin e Shtetit.

Deputetët e PD që kërkojnë hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit

Deputetët e PD që kërkojnë hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • karadakliu: 08/09/2022 13:23

    Kjo eshte habi deri ne trishtim.Keta dy "burra" qe kur e kur flitet e dihet,ku dhe ne te kujt sherbim ishin, sa demtuan e sa qendruan dhe me "besimin e popullit" qendruan ne krye te shtetit dhe popullit shqiptare,por f atkeqesisht, ende krekosen per te qendruar deri ne shpetim nga ndeshkimi meritor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?