Nga ora 08:00 e deri në orën 14:00 pranë Universitetit të Korçës qëndruan të hapura dy qendra vaksinimi me qëllim për t'u ardhur në ndihmë studentëve, por interesi i tyre është tejet i ulët. Në ditën e parë të vaksinimit në universitetit u vaksinuan vetëm dy studentë.
"Është me detyrim ndaj erdha ta bëj vaksinën. Nëse nuk do ishte me detyrim nuk do ta bëja", tha njëri prej tyre, duke shtuar se shokët e tij nuk paraqiten se kanë frikë nga vaksina.
Rektori i Universitetit Fan Noli shprehet se mosmarrja e vaksinës do ti penalizojë studentët për tu ulur në auditore.
"Sot normalisht duhet të niste viti akademik, është shtyrë për të lejuar vaksinimin e studenteve. Ne kemi udhëzime për të filluar mësim në auditore dhe jo online. Sipas udhëzimit do pranojmë studentët e vaksinuar ose ata që paraqesin analizën PCR", tha Dhimitër Bello Rektor i Korçës.
Në Shkodër, 2 qendrat e vaksinimit, tek rektorati i universitetit dhe fakulteti i shkencave të edukimit po aplikohen vaksinat AstraZeneca dhe Sinovax.
"Fillimi është sot dhe do të jemi në universitet deri të shtunën, por nëse do të kemi kërkesë nga studentët jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe javën tjetër kur të nisë viti akademik", tha Suida KUKA - Drejtore e NJVKSH Shkodër.
Fushata e vaksinimit masiv të studentëve nuk po funksion as në Vlorë. Në universitetin " Ismail Qemali" në Vlorë shihet prezenca e paktë e studentëve.