Niset kontingjenti i 8-të në Letoni, Peleshi: I bindur për profesionalizmin e ushtarakëve tanë

8 Janar 2021, 13:12| Përditesimi: 8 Janar 2021, 13:33

  • Share

Është nisur sot kontingjenti i 8-të i Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese në misionin e NATO-s, Letoni.

Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit mori pjesë edhe ministri i ri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj dhe komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku.

Në fjalën e tij ministri Peleshi u shprehu kënaqësinë që takimin e parë me efektivët e FA e bëri me trupat që do të shërbejnë në një mision ndërkombëtar.

Më tej, zoti Peleshi theksoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe vlerësoi përgatitjen dhe profesionalizmin e trupave shqiptarë për të shërbyer në misione të tilla.

“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Jam i bindur se me përgatitjen, përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj ju do të përmbushni me dinjitet dhe korrektesë të gjitha detyrat duke kontribuar në këtë mënyrë në suksesin e Aleancës.”- u shpreh ai.

Ministri Peleshi nuk harroi të falënderojë mbështetësit kryesorë të kompanisë EOD dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision.

“Një falenderim i veçantë shkon për aleatin tonë strategjik, SHBA, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapacitetit të rëndësishëm të Pajisjeve dhe Municioneve Shpërthyese. Dëshiroj të falenderoj fëmijët, bashkëshortet, prindërit dhe familjarët tuaj për mbështetjen e përhershme dhe të pakursyer që ju kanë dhënë”- iu drejtua ai trupave të rreshtuar, të cilët i siguroi për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në përfundim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit major Eduart Kaloshi.

Kontingjenti i 8-të EOD përbëhet nga 21 ushtarakë të mirëtrajnuar për asgjësimin e municioneve të rrezikshme dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Adazi.

Grup-batalioni i NATO-s në Letoni përbëhet nga mbi 1 mijë trupa nga Shqipëria, Kanadaja, Republika Çeke, Islanda, Italia, Mali i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.

Batalioni ka mision parandalimin, dhe nëse është e nevojshme, mbrojtjen e Letonisë nga çdo agresion i mundshëm.

 

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?