Nis sesioni i ri i Kuvendit
priten debate nga opozita

15 Janar 2018, 09:21| Përditesimi:

  • Share
Kuvendi do të çelë sot pasdite punimet e sesionit të dytë parlamentar ku priten debate nga opozita të mbartura që nga seanca e fundit parlamentare e 2017-ës, kur u zgjodh kryeprokurorja Arta Marku. 

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Kuvendit bëhet e ditur se “në mbështetje të nenit 74, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 42, pika 1 të Rregullores së Kuvendit ditën e hënë me datë 15 janar 2018, në orën 17:00, Kuvendi do të çelë punimet e sesionit të dytë parlamentar sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi”.

Tre ditë më parë në konferencën e Kryetarëve Partia Demokratike kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi me pretendimin se ka konsumuar shkeljen e Kushtetutës me zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurores Arta Marku seancën e 18 dhjetorit 2017. Të njëjtën kërkesë demokratët pritet ta rikthejnë edhe gjatë seancës së sotme, ndërsa parashikohen debate të forta jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së Arta Markut por edhe për akuzat opozitës lidhur me dosjet e nxehta si ajo e Tahirit. 

Për këtë shkak, opozita ka paralajmëruar gjithashtu se do protestojë në 27 janar, ndërsa në lidhje me Kuvendin do ketë raporte të kushtëzuara. 

Në punimet të ditë së hënë në rend të ditës janë këto pika:

1. Hapja e Sesionit të II – të të Legjislaturës së IX –të të Kuvendit të Shqipërisë.

2. Miratimi i procesverbalit të seancave plenare, datë 14.12.2017 dhe 18.12.2017 (neni 44, pika 2 e Rregullores)

3. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3 e Rregullores)

4. Miratimi i Programit të Punës së Kuvendit për periudhën 15 janar – 23 shkurt 2018. (neni 26, pikat 5, 6 të Rregullores, votim me shumicë të thjeshtë)

5. Miratimi i Kalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 15 janar – 2 shkurt 2018. (neni 27, pikat 3, 4 të Rregullores, votim me shumicë të thjeshtë)

6. Paraqitja në Kuvend e kalendarit të raporteve vjetore të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj për veprimtarinë e vitit 2017. (neni 103, pika 1 e Rregullores)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?