Aleksandar Vuçiç, Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj në samitin Brdo-Brione

Begaj merr pjesë në Samitin e Brdo-Brione: Integrimi përshpejtohet me bashkëpunim rajonal! Osmani dhe Vuçiç ulen në një tryezë

11 Shtator 2023, 13:24| Përditesimi: 11 Shtator 2023, 17:14

  • Share

Samiti i Radhës i Bërdo-Brijunit u ndal në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski mikpriti një e nga një të gjithë krerët e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në një komunikim për mediat, Presidenti Bajram Begaj tha se ky takim vjen në një moment delikat për gjeopolitikën për shkak të agresionit rus mbi Ukrainën, teksa rajoni po përballet edhe me sfida të tjera që lidhen me emigrimin apo të rinjtë. Kreu i Shtetit u shpreh se ishte optimist që objektivi strategjik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE do të bëhet realitet.

 “Ky takim i sotshëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë, nga situata gjeopolitike, e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjtat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte të bënte me disa çështje më sensitive për popujt tanë që janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike” – tha Presidenti Begaj.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani e ulur në një tryezë me presidentin serb, shprehu angazhimin se Kosova do të vijojë të luajë rol aktiv për të kontribuar në të ardhmen e rajonit. Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë për deeskalimin e situatës në veri dhe kërkoi përgjigje të unifikuar kundër përpjekjeve destabilizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.

“Falenderoj Presidentët Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të proçesit Bërdo-Brione. Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

Në fund të takimit krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të emigrimit të të rinjve nga vendet e rajonit. Procesi i Bërdo-Brijunit është një nismë maqedonase, sllovene e kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, asokohe kryeministër i Sllovenisë.

Ora 17:11
Osmani nga Shkupi: Masat e BE-së ndaj Kosovës nuk janë proporcionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimeve bilaterale që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme në Maqedoni të Veriut në Samitin e Brdo Brijunit, ka folur edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

“Unë i kam diskutuar në takime bilaterale që kisha në radhë të parë me presidentin Pendarovskin ku e informova për hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për shtensionim të situatës dhe sfidat që po përballemi”, u shpreh Osmani.

“Gjithashtu me presidentin Milanoviq diskutuam mbi të gjitha që BE-ja që t’i largojë masat në raport me Kosovën që nuk janë proporcionale. Presim që shtetet që na kanë përkrahur aq fortë si Kroacia të ndërmarrë hapat e parë për të iniciuar largimin e këtyre masave”.

Ajo shtoi se Kosova po vazhdon të luajë një rol për të kontribuar në të ardhmen e Ballkanit.

“Kosova vazhdon të luajë një rol aktiv për të kontribuar në të ardhmen e rajonit tonë dhe është e përkushtuar në rrugën tonë euroatlantike”, shkroi Osmani.

Ora 15:47
Samiti i Brdo Brijunit, Begaj zbardh çështjet që u diskutuan: Sfidat, gati të njëjtat në vendet e Ballkanit! Optimist për objektivin e hyrjes në BE

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në Takimin e radhës të Liderave të Procesit të Brdo-Brijunit në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Përgjatë Sesionit Plenar të Krerëve të delegacioneve të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua me dyer të mbyllura, Presidenti Bajram Begaj mbajti fjalën e tij, ku dha perspektivën e tij për samitin.

Në një prononcim për mediat, Presidenti Begaj vlerësoi: “Ky takim i sotshëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë, nga situata gjeopolitike, e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjtat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte të bënte me disa çështje më sensitive për popujt tanë që janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike” – tha Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit u shpreh se ishte optimist që objektivi strategjik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ai i hyrjes në Bashkimin Evropian, do të bëhet realitet.

Presidenti Begaj zhvilloi gjatë ditës një sërë takimesh dypalëshe me disa nga Krerët e Shteteve të rajonit. Fillimisht, Presidenti Begaj u takua me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Gjatë takimit, presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë një shembull i bashkëpunimit konstruktiv, në interes jo vetëm të përparimit të dy vendeve, por të të gjithë rajonit.

Kreu i Shtetit u takua gjithashtu me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe interesi i përbashkët i çuarjes përpara të axhendës evropiane. Dy vendet kanë rol të rëndësishëm në kuadër të stabilitetit dhe të prosperitetit të rajonit.

Pjesë e axhendës ishte edhe takimi me përfaqësuesit e Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljko Komsic, Denis Becirovic dhe Zeljka Cvijanovic, me të cilët u diskutua për domosdoshmërinë e nxitjes së frymës së bashkëpunimit rajonal dhe gjithpërfshirës, për një Ballkan Perëndimor sa më të sigurt dhe të integruar sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?