Nis 'Java e Parasë', Sejko: Aktivitete për menaxhimin dhe mbrojtjen e parave! Teknologjia rrezik për mashtrimin financiar

18 Mars, 14:57| Përditesimi: 18 Mars, 15:15

  • Share

"Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!" është tema e javës së parasë që nisi këtë të hënë dhe do të zgjasë deri më 24 mars.

Guvernatori Gent Sejko tha se në fokus të kësaj jave do të jetë administrimi dhe kursimi i parave, por njëkohësisht edhe informimi për tu mbrojtur nga mashtrimet financiare online.

“Është shumë e rëndësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta”, tha Sejko.

Nisja e edukimit financiar që në moshë të vogël, sipas guvernatorit ka rëndësi të madhe, në një kohë kur dixhitalizimi vetëm fuqizohet.

“Rastet e sukseseve sporadike në investimet në produkte të pakontrolluara, jo vetëm që nuk përbëjnë garanci për suksese të ardhshme apo të qëndrueshme. Theksoj se mund të kthehen në rreziqe kur operohet në tregje të parregulluara dhe të pambikëqyrura”, tha Sejko.

Për të rritur kulturën financiare, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu theksoi se po përmirësohen edhe modulet mësimore që në fillorë.

Gjatë kësaj jave, edhe bankat do të jenë në dispozicion për të informuar qytetarët më shumë mbi financat e tyre.

Dhjetëra aktivitete do të zhvillohen nëpër shkolla apo pranë bankave që në thelb të tyre do të jetë edukimi financiar, dhe mbrojtja e parave.

Prej një dekade Banka e Shqipërisë organizon Javën e Parasë, si një moment për tu njohur me lekun, për ti kushtuar më shumë rëndësi parave, kursimit të tyre, aftësimit financiar dhe informimit mbi rreziqet e mundshme me të cilat mund të përballemi.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?