Nga rruga në Muze, artisti i njohur grek ‘Same84’ thyen barrierat e dhuron një vepër për Tiranën: Çfarë më lidh me Shqipërinë dhe pse pikturoj histori periferike

17 Mars 2022, 16:20| Përditesimi: 17 Mars 2022, 16:27

  • Share

Christos Daglas ishte vetëm 12 vjeç, kur i magjepsur nga arti i rrugës, kërkonte që në cepat e Athinës ku lindi, të linte mesazhin e tij. Kalimtarët, pikasnin të bojatisur, firmën e “Same84”...

 “Si të gjithë artistët edhe unë nisa artin e rrugës, duke pikturuar muret në mënyrë të paligjshme. Mendova të përdor një emër grek, që në atë kohë e kishin mjaft artist të tjerë e nuk binte në sy, ndërsa për t’u identifikuar vendosa datëlindjen time, ’84”, thotë Christos.

Ekzotike për të mbeten historitë e periferisë, që i vendos në qendër të muraleve të tij...

“Kjo ka qenë sfida ime. Si një djalë i rritur në një kryeqytet të madh, kam dashur të di ç’ndodh përtej Athinës, por jo përmes librave. Duke i njohur fshatrat, qytezat, ishujt vetë nga afër. Duke i dëgjuar njerëzit tek rrëfejnë historitë e tyre”, shton artisti.

Dy dekada e gjysmë më pas, djaloshi që insistonte, që artin e muraleve, ta mësonte jo në shkollë, por në rrugë, duket se e ka ndërtuar udhën e tij. I njohur jo vetëm në Greqi, ku ka edhe një emision të tijin, kjo javë e gjen në Shqipëri. Në Muzeun Historik çel ekspozitën “Ne jemi heronjtë tanë” , të kuruar nga artisti Helidon Haliti në kuadër të Kryeqytetit Rinor Evropian.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë, është ekspozita e tij e parë që bën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në përgjithësi. Artistët e rrugës në përgjithësi kanë jetuar me një filozofi tjetër, në ‘background’, ata nuk donin të dilnin asnjëherë në sipërfaqe, ndërkohë që tani situata ndryshon. Dhe unë e them se ka një lloj martese ku bashkohet edhe gjendja fizike ajo shpirtërore dhe sigurisht që ai ndjehet më i gatshëm sepse është mendim krejt ndryshe, arti publik i galerive me artin publik monumental  që është një gjë krej tjetër..

15 veprat e ekspozuara e gjejnë frymëzimin tek rruga e natyrisht edhe në Tiranë. Në muze, ai sjell përmes telajos e në një teknikë të përzierë plastikën e betonit. Ndërsa, pas 5 veprave murale, 3 prej të cilave në Belsh e Patos, Tiranës do t’i shtohet një tjetër punë e tij, e realizuar në një plastmasë pikërisht në Muze.

"Ai ka ekzekutuar dhe ka bërë një vepër të rrallë të dimensionit 10 m me 3 m në Muzeun Kombëtar, ku do t’ia dhurojë Bashkisë së Tiranës, dhe kjo është shumë interesante."

Ndonëse arti i rrugës, dekadën e fundit ka shënuar historinë e saj në Shqipëri, thotë se në krahasim me Greqinë, hapësirat janë më të shumta.

"Mendoj se muret e mbi të gjitha arti lidhin në këtë rast Greqinë prej nga vij, me Shqipërinë. Edhe pse kultura e dy vendeve tona ka edhe shumë elementë të tjerë të përbashkët."

Do të kthehet sërish në Shqipëri. Dropulli e Saranda do të jenë destinacionet e radhës, ku do të ndërtojë muralet e tij. Edhe pse, siç thotë, për të, e gjithë bota është një vendi i vetëm, ku të gjitha rrugët e çojnë tek muralet...

"Unë në fakt kam një koncept kozmopolit. Nuk i shikoj kufijtë, në formën e një vije që ndan njerëz. Por preferoj të hyj në qytete e periferi, të njoh njerëz, rrëfenjat e tyre e të realizoj artin tim të rrugës. E kështu sigurisht, që do të vij, madje edhe më shpesh në Shqipëri...."

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?