Nga rrënjët shqiptare tek bota e baletit, Angjelin Preljocaj ndan kujtimet nga fëmijëria: Në lagje më tallnin se vishja geta! Prindërit s'ishin dakord, por unë doja të vallëzoja

30 Shtator 2023, 09:20| Përditesimi: 30 Shtator 2023, 09:40

  • Share

Angjelin Preljocaj, balerini dhe koreografi me famë ndërkombëtare ishte i ftuari i episodit të tretë, në sezonin e dytë të podcastit “Flasim”, të kryeministrit Rama. Artisti franko-shqiptar rrëfeu detaje mbi hapat e parë në karrierën e tij dhe jetën e ndarë mes kulturës shqiptare brenda shtëpisë dhe asaj franceze jashtë saj.

Për balerinin që ‘pushtoi’ skenat dhe teatrot botërore, rrugëtimi në ndjekje të ëndrrës dhe pasionit të tij nuk ka qenë aspak e lehtë.

Shkreptima e parë, e cila i hapi dyert e botës së kërcimit, ishte Rudolf Nurejevi, të cilin e hasi në kopertinën e një reviste dhe i ngjalli dëshirën për baletin.

“Pra është diçka paradoksale. Në atë pamje ishte Rudolf Nurejevi i varur në një kërcim, dhe është e çuditshme, sepse të rrish varur ashtu është si të fluturosh në fakt. Dhe për fat të mirë ishte foto, sepse përndryshe do të kishte rënë. Por kjo më ngjalli dëshirën për baletin sepse kishte një dritë të tillë, një bukuri të tillë te ky njeri që po ushtronte pasionin e tij, baletin, saqë pata dëshirën të zbuloja se çfarë kishte prapa këtij imazhi. Dhe ia ktheva revistën vajzës që ma dha dhe e pyeta se ku bënte kurs kërcimi, dhe ajo më ftoi të shkoja në kursin e saj”, tha Preljocaj.

Sakaq, itinerari i historisë së karrierës për balerinin e njohur, nisi me kostumin e xhudos, të cilën e braktisi për vallëzimin ndonëse iu desh të kundërshtonte prindërit e tij, të cilët nuk donin që djali i tyre të bënte balet.  

“Është e vërtetë që bëja xhudo, kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Dhe ishte si zbulim sepse më pëlqente shumë muzika, por nga ana tjetër isha dhe shumë fizik, bëja xhudo, më pëlqente kontakti me partnerin, edhe pse ishte sport luftimi, xhudo mund të jetë edhe shumë i hijshëm. Pra këto dy gjërat lëvizja dhe muzika, bashkoheshin për herë të parë për mua, dhe ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pra ishte diçka e çuditshme. Unë kam mbrojtur gjithmonë idenë që dua të vallëzoj, duhet të vallëzoj, e mbroja këtë ide para babait tim, para mamasë, mamaja ishte pak si e pavendosur, siç e the dhe ti, por ajo punonte në uzinë. Dhe pyeti atje: djali im do të bëhet kërcimtar, çfarë mendoni? Si ju duket? Dhe atje dëgjoi gjëra vërtet të tmerrshme çka bëri që edhe ajo të ishte kundër. Pra rrëshqiti edhe ajo në kampin e babait. Por ishin edhe djemtë dhe vajzat e lagjes periferike ku jetoja, sepse prindërit e mi ishin të varfër, nuk jetonim në lagje rezidenciale, por në periferinë e varfër. Dhe atje sigurisht hip-popi nuk ekzistonte, ky kërcimi urban, që është më mashkullor, më i afirmuar, që është edhe moda , epoka  e hip-popit. Dhe për djemtë dhe vajzat e lagjes sime, vallëzimi do të thoshte ky djali vesh geta dhe bën ca gjëra të çuditshme. Dhe ata talleshin mua. Kështu që mu desh të luftoja dhe të afirmohesha. Mendoj se mjedisi kundërshtar ndonjëherë ta përforcon akoma më shumë dëshirën. Mendoj se sikur të ishin dakord të gjithë, ndoshta do të isha marrë me gjë tjetër, ndoshta pikturë, muzikë, nuk e di. Por kundërshtimin ndaj baletit dhe ndaj meje, e shndërrova në luftë, dhe kjo shprehu një formë vullneti, mprehu një formë rezistence.

Teksa kujton fëmijërinë e tij dhe jetën e ndarë ndërmjet dy botëve të ndryshme, atë të një familjeje me traditë shqiptare dhe mjedisit përtej derës të shkrirë në kulturën franceze, balerini i njohur e konsideron si një realitet të ndërthurur dhe si një histori me dy koka.

“Ishte vërtetë si të kaloje nga një univers në tjetrin, siç thuhet, nga një dimension në tjetrin, si shumë universe në fakt, ishte universi brenda shtëpisë me gjëra të lidhura tradicionalisht me Shqipërinë dhe pastaj zbulimi në shkollë i një bote tjetër, ishte Franca, gjithçka që njohim për Francën, kultura e saj, iluministët, gjithë ajo që shkolla republikane u jep fëmijëve  që të kenë vështrim të ndryshëm  për botën. Pra këto dy vështrime të ndryshme të botës, u ndërthurën. Dhe përsëri kjo historia me dy koka, dy kultura që takohen, që ushqehen nga njëra-tjetra, që sjellin një të veçantë, që sjellin një hibridizim, të koncepteve të shijeve estetike dhe është kjo që të tërheq”, tha Preljocaj.

Ora 10:14
‘Kur kthehem në Shqipëri është sikur kthehem në fëmijëri’, balerini i njohur flet për lidhjen me atdheun: Origjinën nuk e kam fshehur kurrë

 

Ndonëse i lindur dhe i rritur në Francë, ndjenja e atdhedashurisë e ka shoqëruar Angjelin Preljocajn, në çdo hap të karrierës së tij.

Balerini i njohur në mbarë botën, rrëfeu në podcastin e kryeministrit Rama, se gjithmonë ka pasur ndjesinë e përkatësisë shqiptare dhe që në fillesat e karrierës e ka pohuar gjithmonë me zë të lartë dhe nuk e ka fshehur kurrë origjinën e tij.

“Shqipëria është pak si shtëpia ime. Është si zgjatim i ndjesisë familjare. Është shtëpia ime në kuptimin që ishte dikur shtëpia në periferinë franceze, ku ishte shtëpia ime, por nuk ishte Franca, ishte si vazhdim i shtëpisë tonë në Shqipëri, pra është një shtrirje e tillë, dhe tani ndjesia është që vendi ndodhet brenda meje, dhe sa herë që kthehem është si të kthehem në shtëpi, si të kthehem në fëmijëri, sikur kthehem në familjen time, që është populli shqiptar.  Në radhë të parë, është hibridizimi sepse gruaja ime është franceze, ato janë pak si kam qenë unë, por ato kanë atë ndjenjën e thellë për Shqipërinë, është  shumë e këndshme që po transmetohet diçka.  Gjuhën nuk mund ta transmetoj, sepse nuk e di mirë, por transmetohet ndjenja, dëshira,  që e kam pasur gjithmonë, ndjesinë e përkatësisë, unë thosha gjithmonë, që kur isha i vogël, kur fillova kërcimin, jam shqiptar, prindërit e mi janë shqiptarë, këtë e kam pohuar gjithmonë me zë të lartë, nuk e kam fshehur kurrë, dhe këtë ua kam transmetuar edhe vajzave”, tha Preljocaj.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?