Sport

Nga New York në Nartë të Vlorës! Labëria, klubi model në kategorinë e dytë: Pjesa e jona vetëm futbollistë të qytetit, ëndërrojmë Championsin

Në Nartë të Vlorës është ndërtuar një nga komplekset më moderne në Shqipëri ku luan dhe stërvitet klubi Labëria, i krijuar vetëm në vitin 2019 dhe aktualisht bën pjesë në Kategorinë e Dytë. Ai është investim i dy vëllezërve vlonjat të lindur në fshatin Kuç, që pasionin për futbollin e kanë që fëmijë.

“Krijimi i klubit Labëria në qytetin e Vlorës ka ardhur si rezultat i pasionit të dy djemve vlonjat, dy vëllezërve, të cilët kanë pasion futbollin dhe ndërkohë kishin krijuar një ekip me këtë emër në New York. Si rezultat i dëshirës për të ndihmuar komunitetin krijuan këtë ekip,”-thotë Liljana Meçaj, administratore e klubit Labëria.

Arlind Rustemi është trajneri i Labërisë që nga momenti i krijimit të klubit.

“Deri më tani ka qenë mbështetje maksimale, qoftë edhe nga ana morale sepse kemi presidentin që vjen nga Amerika për të parë ndeshjen dhe për të qëndruar pranë skuadrës. Çunat janë pa përvojë, janë në moshë të re dhe kemi nevojë pak për mbështetje edhe nga tifozët,”-deklaron Arlind Rustemi, trajner i Labërisë.

Qëllimi i krijimit të klubit është për t’i ardhur në ndihmë komunitetit dhe primare mbetet akademia, por edhe në ekipin e parë ka një të dhënë shumë interesante.

“Me plot gojë e them që jemi 25 futbollistë te ekipi i parë dhe vetëm 3 lojtarë nuk janë nga Vlora, pjesa tjetër janë të qytetit,”-u shpreh Arlind Rustemi, trajner i Labërisë

Në sezonin 2019-2020 klubi Labëria e nisi rrugëtimin nga Kategoria e Tretë, por ëndrra e madhe është kualifikimi për herë të parë e një skuadre shqiptare në grupet e Champions League.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?