Nga mos kryerja e detyrave si Sekretar i Përgjithshëm te kërkesa për rikthimin e Bylykbashit në grupin e PD-së, ja pse u përjashtua Gazment Bardhi

10 Tetor 2023, 21:30| Përditesimi: 11 Tetor 2023, 07:33

  • Share

Kryesia e Partisë Demokratike përjashtoi dje nga Partia Demokratike Gazment Bardhin. Gazetari Denis Minga në emisionin Repolitix në Report Tv listoi disa nga arsyet se pse Lulzim Basha largoi nga partia ish- aleatin e tij të ngushtë.

Së pari, Gazment Bardhi nga data 6 qershor deri më datë 9 shtator në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm nuk ka kryer detyrat funksionale duke pezulluar aktivitetin e partisë.

Së dyti më datë 22 korrik, në kundërshtim me dispozitat e statutit ka bërë thirrjen për mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Së treti më datë 27 korrik, në kundërshtim me vendimin numër 1, datë 26 korrik 2023 të Komisionit të Apelimit, ka organizuar një mbledhje të pretenduar të Këshillit Kombëtar, mbledhje në të cilën pretendohet që janë marrë vendime për pezullimin e aktivitetit politik të partisë.

Së katërti në periudhën 4 shtator e në vijim ka kryer veprime dhe akte, në cilësinë e pretenduar të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, akte të cilat janë në kundërshtim me rezolutën e datës 18 dhjetor 2021 të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe interesat dhe aleancat strategjike të partnerëve ndërkombëtare.

Së pesti, me kërkesë me shkrim drejtuar Kuvendit ka njoftuar revokimin e vendimit të kryesisë së Partisë Demokratike, datë 15 janar 2022 për përjashtimin e disa deputetëve duke kërkuar edhe përfshirjen në Grupin Parlamentar të një drejtuesi të lartë të Rithemelimit, në rastin konkret Oerd Bylykbashin.

Kryesia e Partisë Demokratike e mbledhur online mbrëmjen së hënës (9 tetor) nën drejtimin e kryetarit Lulzim Basha, përjashtoi nga partia Gazment Bardhin, ish sekretar i Përgjithshëm në PD. Por vetë Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk e njeh Kryesinë e re të Partisë Demokratike.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?