Politikë

Nga konstituimi i Kuvendit deri te betimi kabinetit të ri qeveritar, të gjitha procedurat dhe hapat ligjorë duke filluar nga seanca e 10 shtatorit

3 Shtator 2021, 11:31| Përditesimi: 3 Shtator 2021, 14:43

  • Share

TIRANË-Tashmë është gjithçka gati, seanca e parë e legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë është përcaktuar më 10 shtator dhe të gjithë emrat e Qeverisë së re tashmë janë bërë publike. Javët e ardhshme konstituohen 2 institucionet më të rëndësishme që do ta drejtojnë vendin për 4 vitet në vijim, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave. Por cilat janë procedurat dhe çfarë pritet të ndodhë hap pas hapi me mbledhjen parë të Kuvendit në seancë plenare dhe më pas me procedurat për miratimin e qeverisë së re.

Konstituimi i Kuvendit

Më 10 qershor, të premten e ardhme, bëhet mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit kjo mbledhje hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Me shumë mundësi seanca e 10 shtatorit do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.

Menjëherë më pas 3 deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.

Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.

Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.

Më pas deputetët zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas përfundimit të procesit dhe pasi ka një fitues drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.

Votimi dhe betimi i Qeverisë së Re

Menjëherë pas verifikimit të mandateve, Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Sipas Kushtetutës së vendit në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin. Megjithatë duke pasur parasysh se në Kuvend kemi një shumicë solide me 74 mandate vetëm të Partisë Socialiste një problematikë e tillë nuk do të haset.  Më pas Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Pas miratimit nga Kuvendit, para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?