Nga ishulli Ventotene, në përballjen
​e dhimbshme me komunizmin

29 Korrik 2016, 10:00| Përditesimi:

  • Share
Safet Butka, Zai Fundo, Stavro skëndi, isuf luzaj, Selman Riza dhe petro marko... Ëndrrat për liri të gjashtë luftëtarëve, që fati i përplasi me nëj prej regjimeve më të egra. Dikush u vetëvra, të tjerë u arratisën dhe u burgosën...
 
Ky fragment i shkëputur nga “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, një vepër kurajoze e Visar Zhitit, botuar pak vite më parë, na sjell një qasje që pak kujt i kishte shkruar në mend.

Si lidheshin fatet e gjashtë personazheve që dikur, para se Shqipëria të pushtohej nga Italia fashiste, ishin burgosur në ishullin Ventotene, si kundërshtarë të fashizmit. Nga ajo periudhë, rruga e gjithëseicilit prej tyre pati zigzaget e veta, duke u përballur të gjithë me egërsinë e drejtuesve të Partisë Komuniste. Dhe askush prej tyre s’mundi ta jetonte ëndrrën për një atdhe të lirë, pa dhunë, e censurë, ashtu siç artikulonin në ishullin Ventotene...

Nga ky libër sjellim për lexuesit këto gjashtë profile të shkruara me mjeshtëri nga Visar Zhiti, për të kuptuar se si lidhen mes tyre fatet e Safet Butkës, Zai Fundos, Stavro Skëndit, Isuf Luzajt, Selman Rizës dhe Petro Markos...
 
 
PARALAJMËRIMET nga ishulli i erës:
Teksa mblidhja fakte dhe emra të dënuarish që i kanë dhënë kulturës shqiptare vepra dhe gjak, që kanë patur mision dhe luftën për liri, ndesha se disa personalitete të spikatura kanë në jetët e tyre, në fatin,  më saktë në fatalitetin e tyre, dhe një “ishull” të përbashkët, ku, si, të thuash, lidhen nyje bëmat dhe rruga e tyre prej heronjsh merr një kthesë të papritur, drejt humnerave.  Rastësi? E pamundur!

Është ishulli Ventotene në Itali, përballë Napolit, por që ka hyrë në kujtesën e shqiptarëve, madje dhe në këngët e tyre të trishtuara.
Pushtuesi fashist degdiste kundërshtarët më të rrezikshëm. Aty i internonte, ishte burgu i luftës, i rrethuar dhe me ujë.
Por ç’ka ndodhur me të mbyllurit më pas, pasi iknin prej andej? Me ata shqiptarë që ktheheshin për të vazhduar luftën, që atdheu të mos ishte i pushtuar? Që atdheu të mos kalonte në perandorinë komuniste? Po me ata që donin?

Pse sa më shumë të luftoje për idealin, për lirinë, për atdheun, aq më pak fitoje ideal, liri, atdhe, ndonjëherë dhe duke i humbur ato përgjithmonë. Madje edhe jetën. 
“Ventotene”-n e marr si një metaforë, nga ku orakulli i erës bën disa paralajmërime tragjike, që paraprinë historinë e së ardhmes:
 
1. Vetëvrasja si paralajmërim:
Safet Butka

Ishte në Ventotene. Bir i luftëtarit patriot, mitikut Sali Butka. Pasi shkollohet në Austri, do të jetë arsimtari i disa gjimnazeve të vendit, reformator në edukim, studiues në pedagogji, autor shkrimesh problemore si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perendimit” etj., dhe mbiquhet “Pestaloci” i Shqipërisë.

Nismëtar në sjelljen e eshtrave të poetit kombëtar, Naimit, u prin intelektualëve dhe studentëve në demonstratat e para kundër fashizmit dhe pushtimit më 1939. E arrestojnë dhe e burgosin në Tiranë dhe më pas internohet në ishullin “Ventotene”, ku fryn shumë erë... veee-ntoo... eeee... dhe e mbajnë për tre vjet së bashku me intelektualë të tjerë bashkatdhetarë antifashistë.

Kthehet në atdhe për të vazhduar detyrën, të luftojë kundër pushtuesit, për lirinë e njeriut. Bashkohet me Mit’hat Frashërin e nacionalistët e tjerë
Por kur kjo luftë ndërron kah, bëhet vëllavrasëse, luftë civile, ai vret veten. Ashtu si shkrimtari Stefan Cvajg... Profeci tragjike, apel ndërgjegjes kombëtare, protestë e çmendur, mosdurim i dhembshur, që ia çoroditte konceptet? Po, të gjitha së bashku. Lufta për liri do të ishte fitore e diktaturës.
Gjithsesi ajo krismë e vetmuar arme do të jehonte në kujtesën kolektive, secili do ta ndiente brenda vetes. U bë për një qëllim sublim, që të mos e përsëritte atdheu.
 
2. Masakra si rivalitet:
Zai Fundo
masakrohet nga partizanët me të ardhur nga Ventotene, ku e kishin internuar fashistët si luftëtar kundër pushtimit.
Kur tha se kush ishte e se donte të luftonte për çlirim, e morën zvarrë dhe e vunë pas murit. E pushkatuan dhe urdhri, siç duket, duhej të kishte ardhur më parë nga lart. Nga shumë lart, ndoshta nga Beogradi a Moska. Nga Stalini a nga vetë Marksi.
Zai Fundo, poet e me kulturë të gjerë, i bërë komunist në Francë, por liberal dhe kundër regjimit pervers të Stalinit (fjalët e tij), kujtohet dhe nga personaliteti italian Altiero Spineli, njëri nga ideatorët e Evropës së Bashkuar. Në autobiografinë e tij “Si jam përpjekur të bëhem i ditur”, ai shkruan se “përkushtimi politik i Zai Fundos ishte përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrovi u arrestua pas djegies së Reichstag-ut, Fundoja ishte në Berlin si bashkëpunëtor i tij. Iku, se mos e arrestonin... dhe shkoi në Paris, pastaj në Moskë... Më vonë i shkëputi marrëdhëniet edhe me Internacionalen, teksa përndiqej prej saj...  nga Puglia u nis të luftonte për Shqipërinë...” (“Come ho tentato di diventare saggio”, - Ventotene 1939 - 1943, fq. 265-267). E kapin në Qafë të Kolesjanit, afër Gjakovës, dhe e masakrojnë. Ishte 45 vjeç. Por shumë më i ditur nga ç’do t’i lejohej një komunisti.
Përfytyrimi i një Ballkani bashkë, i një Evrope të Bashkuar është tjetër gjë nga një perandori komuniste.
 
3. Mërgimi si një rrugëdalje:
Stavro Skëndi,
shqiptari tjetër, mik me Altiero Spinelin në Ventotene edhe ai, i internuar si kundërshtar aktiv i pushtimit italian, me t’u liruar nga ishulli i dhembjes, shkon të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit, por në rrugë tjetër, bashkohet me Ballin Kombëtar. Kishte studiuar në shkollën amerikane të Stambollit Robert College, (ku do të shkollohej më vonë dhe shkrimtari turk, nobelisti Orhan Pamuk) dhe pastaj kryen universitetin për studime ndërkombëtare në Gjenevë. Është për evolucionet, për zhvillimin shkencor dhe kulturor të Shqipërisë, dhe jo për revolucionet.
Shkon në SHBA dhe zhvillon në universitetet amerikane degën e albanologjisë. Janë të njohura studimet e tij dhe librat për Shqipërinë, poezinë e saj gojore, Rilindjen, Ballkanin etj.
Jeta e tij përmbledh 8 dhjetëvjetësha të historisë së vendit, Shpalljen e Pavarësisë dhe vendosjen e komunizmit, që ai e shikon si tragjedi kombëtare. E trondit dhe dëshpëron së tepërmi mbyllja e atdheut, shtypja që u bëhet intelektualëve dhe artistëve. Vdes në Nju-Jork, një vit para se të bjerë diktatura.
 
Isuf Luzaj shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, e do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi. Në atdhe punon në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”. Si kundërshtar, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me ata që luftonin për çlirim, mes vëllavrasjeve, pabesive dhe hijeve. Ikën me të mbaruar lufta, por në Itali e dënojnë me vdekje, akuza për vrasje që s’dihet në janë bërë. Pas një amnistie del nga burgu. Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të Ballit Kombëtar në Kongresin e Nju-Jorkut. Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Regan. Mban leksione në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshirë, Indiana etj. Emërohet titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinoisit. Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.
 
4. Dy burgje për shqiptarin:
Selman Riza,
shkencëtar në gjuhësi, albanalog i shquar, patriot dhe veprimtar, që bashkon me veprën e tij Kosovën me dheun amë, me Shqipërinë.
Në moshën 13 vjeç, ikën nga vendlindja e tij Gjakova dhe niset më këmbë për në Tiranë, do të studiojë dhe del nxënësi më i mirë në shkollën plotore “Naim Frashëri”. Edhe Liceun e Korçës e mbaron shkëlqyeshëm. Dhe Ministria e Arsimit e nis të studiojë në Francë. Në Tuluz, për 3 vjet (1932 - 1935) mbaron dy fakultete, Gjuhë e Letërsi Franceze dhe Drejtësi. Pasi studion dhe në Austri gjermanistikë, kthehet në atdhe, që të punojë. Del hapur kundër pushtimit fashist dhe e internojnë në ishullin Ventotene, mik me Zai Fundon, por s’është komunist. Mik me Safet Butkën, por s’është me Ballin Kombëtar. 
Kthehet në atdhe në Durrës e më pas në Prizren, ku punon si avokat, dhe vihet në krye të lëvizjes për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si një rast i veçantë. Me të mbaruar Lufta II Botërore, kthehet prapë në Tiranë. Fitimtarët e arrestojnë më 1945 me akuzën “kosovar antijugosllav”. Burgoset dhe bën tre vjet burg pa vendim gjykate, pastaj i dorëzohet Jugosllavisë, ku bën tre vjet të tjerë Pas internimit në Sarajevë, kthehet në Prishtinë, ku i përkushtohet punës studimore. Më pas jugosllavët e përzënë dhe e mbyllin Institutin Albanologjik që drejton Riza.
Më 1956 në Tiranë. Shihet me dyshim, përndiqet. Intelektualët më të mëdhenj vështrohen si spiunë të vendeve ku kanë studiuar. Çabeji, si agjent i gjermanëve; kurse Riza, i jugosllavëve...
 Establishmenti teorik mendimor i kohës kërkon që të imponojë versionin e vet. Intelektualët me autoritetin e tyre mund të sjellin version tjetër, ndaj edhe mbahen ashtu.
Vetë Enver Hoxha kishte bërë një letër në vitin 1944, ku kërkonte nga Partia Jugosllave për Kosovën që “ta mbajnë anash atë pseudoliberalin”.
Profesor Riza mbyllet në Institutin e Albanologjisë, jep mësime morfologjie dhe studion autorët e vjetër. Dhe kërkon që shkencëtarët shqiptarë, kolegët e tij, të përqendrohen në hartimin e madh të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që do më shumë  përkushtim se fjalorët me të cilët po merren, rusisht-shqip. Pasi hedh idenë e pamundësisë së zbatimit të marksizëm-leninizmit në gjuhësi, rifillojnë sulmet e hapura, “flet-rrufetë” kundër tij, duke i kujtuar burgjet.
Edhe pse është bartës i Çmimit të Republikës për arritjet në shkencë, e dëbojnë në Berat, i japin punë si folës në muze. E kthejnë në Tiranë më 1970, ku vazhdon punën me gjuhën amtare, afrimin shkencor ndërmjet dy dialekteve për një gjuhë letrare natyrale. Por vazhdon edhe heshtja rreth tij, edhe përndjekjet e fshehta. Deri sa vdes.
Dhe ka kërkuar të prehet në vendlindje.
 
5. Burgu si një fund dhe si trashëgimi:
Petro Marko mbyllet më poshtë Ventotenes, në një ishull tjetër në Sicili, në Ustika, për të cilin do të botojë më vonë romanin “Një natë me dy agime”.
Shkrimtari luftëtar, i burgosur nga çdo epokë e regjim, kur është gazetar i ri në Tiranë, me të shpërthyer Lufta e Spanjës, shkon vullnetar atje, njihet dhe me Heminguejin, thotë, e me shkrimtarë të tjerë. E lufton fashizmin kudo që do të ndodhet më pas nëpër Evropë. Kthehet në Shqipërinë e pushtuar dhe e burgosin...
Çajnë burgun e Ustikës dhe bashkohet me partizanët italianë, hidhet në zonat e çliruara të Italisë, bashkon shqiptarët e mbetur andej... Kthehet në Shqipërinë e çliruar, rebel si përherë, ngrihet kundër diktatit të Beogradit ndaj vendit tonë dhe shumë shpejt e arrestojnë. Nis në burg romanin “Hasta la vista”, del, e boton, pasojnë vepra të tjera, që shpesh ia ndalojnë, dhe bëhet i dashur për lexuesin, me dufin e tij të lirisë dhe pasionin e poetit.

Shumëçka e ka treguar tronditshëm në librin “Retë dhe gurët- Intervistë me vetveten”. Dua të kujtoj këtu, kur në qeli i sjellin profesor Zuberin, një nga  gjeologët më të mëdhenj të botës, të cilin dikur e kishte thirrur dhe Lenini për të zbuluar puset e Bakusë, madje atje i kishin ngritur dhe një bust. Dhe tani e kanë  katandisur në një grumbull të gjakosur leckash. Kurse Petro Markon e mbajnë varur pas dritares me zinxhirët në qafë. Hapet dera dhe një çizme e rëndë partizani ia përshesh fytyrën profesor Zuberit, e vrasin në qeli, sepse nuk ka gjetur rezerva floriri në nëntokën shqiptare.

E tmerrshme, e ç’mund të thuash për më tej?     Goditja më e rëndë që merr në jetë shkrimtari i njohur Petro Marko, siç e thotë edhe vetë, është burgosja e të birit, Jamarbër Marko, për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe shtetit.
Dënimet, burgjet po kalojnë në brezin tjetër në Shqipëri.
Dhe shkrimtari i shquar, nga më intersantët e shekullit XX, Petro Marko, vdes i drobitur dhe i zhgënjyer, në prag të rënies së komunizmit, të cilin e kishte pasur ideal dhe për të cilin luftoi.
Por kur do të vinte agimi i dytë?
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?