Ambasada e SHBA-së në Tiranë

Nesër protesta e thirrur nga Berisha, ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni çdo tubim, mund të ndodhin situata të paparashikueshme

7 Janar 2022, 15:42| Përditesimi: 7 Janar 2022, 15:48

  • Share

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të tregohen të kujdesshëm ditën e nesërme për shkak të protestës që ka paralajmëruar ish-kryeministri Sali Berisha.

Përmes një njoftimi zyrtar ambasada e SHBA-së këshillon qytetarët e saj në Tiranë që të shmangin çdo tubim në qytet si edhe zonën ku pritet të zhvillohet protesta, rreth selisë së Partisë Demokratike.

“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme dhe pjesëmarrësit mund të zhvendosen në pjesë të tjera të qytetit”, shkruan ambasada.

Situata në PD është shumë e tensionuar, ku në datën 5 Lulzim Bashës i ka mbaruar ultimatumi i vendosur nga Sali Berisha për të liruar zyrën e PD-së, ndërkohë që ish-kryeministri ka thirrur ditën e nesërme një protestë që do të nisë në orën 12:00, ndërsa protestuesit do të mblidhen në selinë e PD. Pavarësisht deklaratave të Berishës se protesta do të jetë paqësore, PD ka marrë masa duke përforcuar hyrjen në selinë blu, për të qenë e përgatitur për çdo skenar. Berisha ka deklaruar sot nga shkallët e selisë blu, pasi e gjeti derën të mbyllur, se nesër do të largojnë Bashën, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se do të jetë në zyrë për të vijuar punën si normalisht. 

Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri:

Mesazh për qytetarët amerikanë: Protesta e planifikuar më 8 janar 2022

Vendndodhja: Tiranë, selia e Partisë Demokratike

Data/Ora: E shtunë, 8 janar 2022, duke filluar nga ora 12:00

Qytetarët amerikanë njoftohen se një grup ka bërë thirrje për protestë në selinë e Partisë Demokratike.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë organizime të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme dhe pjesëmarrësit mund të zhvendosen në pjesë të tjera të qytetit.

Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit.

Veprimet që duhet të bëni:

Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim.

Jini të informuar për vendin ku ndodheni.

Monitoroni mediat lokale për përditësime.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • AltinTop: 07/01/2022 16:40

    Ne amerike kur ka protesta nuk del kush tu thote amerikaneve rrini larg se nje pjese e popullsise eshte e armatosur me leje..

    Përgjigju
  • Plus: 07/01/2022 16:29

    Me then te drejten, amerikanet nuk duhet te qendrojne e te ngrohen ne zjarrin qe ndezen vete. E detyruan Bashen qe ta heq Berishen se kane prova. Ky e hoqi dhe tani gjendet i vetem para kucedres… amerikanet?? Rrini larg zjarrit qe mos digjeni-thote ambasada!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?