Nesër mblidhet Kuvendi me maska dhe doreza, Ruçi rrëzon 2 kërkesat e opozitës (Debat online)

29 Prill 2020, 12:03| Përditesimi: 29 Prill 2020, 16:50

  • Share

TIRANE-Nesër do të zhvillohet seanca e radhës në Kuvend, do të jetë e treta me masat mbrojtëse, maska, doreza dhe disntancim social. Sot është zhvilluar online Konferenca e Kryetarëve, e cila nuk ka kaluar pa debate mes shumicës dhe opozitës. Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvend, Rudina Hajdari kishte dy kërkesa, që opozita të kishte më shumë kohë për të folur dhe që në rendin e ditës të kishte më pak projektligje, pra që fokusi të ishte vetëm te situata e krijuar nga COVID-i. Por të dyja kërkesa janë rrëzuar,pasi kryetari i Kuvendit nuk i ka pranuar.

Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, veprimtaria parlamentare e komisioneve të përhershme dhe seancat plenare kanë qenë mjaft intensive e produktive, duke u dhënë përparësi shqyrtimit të akteve ligjore që lidhen me përballimin e pandemisë COVID-19. Unë i kam ndjekur personalisht të gjitha mbledhjet e komisioneve dhe kam konstatuar se ato kanë qenë të mirëorganizuara dhe rezultative dhe janë transmetuar në kohë reale për median e publikun.

Pavarësisht rrethanave si edhe qëndrimeve politike të grupeve parlamentare, të gjitha procedurat parlamentare për depozitimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore  janë zbatuar pikë për pikë, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kuvendi, me axhendën e vet legjislative, duhet t’i paraprijë strategjisë së daljes nga situata e pandemisë. Ndryshe nga parlamentet e vendeve të tjera, të cilat kanë reduktuar numrin e seancave plenare, numrin e deputetëve dhe kohën e diskutimeve, ne këtë të fundit nuk e kemi kufizuar, për t’u dhënë mundësi të gjithë deputetëve të shprehen.

Me ligjet, aktet normative, marrëveshjet dhe vendimet që programojmë të miratojmë ne duhet t’u hapim rrugë, të mbështesim dhe nxisim veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe sektorit publik e privat për rigjallërimin e sipërmarrjes, veprimtarive ekonomike dhe jetësore. Për këtë kërkohet rritje e dinamizmit të veprimtarisë së komisioneve parlamentare, të të gjithë deputetëve dhe administratës së Kuvendit në shërbim të tyre". Konferenca e Kryetarëve vendosi që javën e ardhshme nuk do ketë seancë plenare. Seancat parlamentare do të mbahen në datat 14 dhe 21 maj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?