Luçiano Boçi

Shumica njeh Alibeajn, Boçi thërret mbledhjen e parë si kryetar grupi me deputetët e Berishës! Fokusi ‘Territorialja’

13 Shtator 2022, 18:37| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 20:01

  • Share

TIRANË- Në një kohë kur shumica ka rikonfirmuar Enkelejd Alibeajn si kreun e grupit, Luçiano Boçi ka thirrur në një takim deputetët që mbështesin Sali Berishën. Ky është takimi i parë që Boçi do të zhvillojë, në cilësinë e kreut të grupit, ashtu siç Sali Berisha e cilëson. Mbledhja do të zhvillohet ditën e nesërme në selinë e PD-së dhe do të nisë në orën 12:00. 

Ndonëse të lënë jashtë Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, fokus i kësaj mbledhje do të jenë ndryshimet territoriale, ku grupi i punës i ngritur nga Rithemelimi do të prezantojë propozimet e tyre. Ndërkohë, që edhe deputetët që do të jenë të pranishëm në takim do të japin propozimet e tyre për qarqet që përfaqësojnë.

Nga ana tjetër, grupi i Alibeajt, ka bërë gati draftin për ndryshimet territoriale, që pritet ta paraqesin edhe në Komision. Grupi i Alibeajt propozon hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe, propozojnë rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.

Edhe ‘Rithemelimi’ bie dakord për shtimin e numrit të bashkive në 80-90, si edhe ndarjen e vendit ne rajone. Në ndryshim nga Grupi i Alibeajt, Rithemelimi propozon ndarjen e vendit në 5 rajone. Sipas draftit, ata do të jenë Rajoni i Shkodrës, Rajoni i Arbrit, Rajoni Elbasan-Korçë, Rajoni i Muzakajve, Rajoni i Kaonëve.

Këto qëndrime të kundërta mes dy palëve, vënë sërish në dukje përçarjen që vijon mes Partisë Demokratike, edhe në një çështje të rëndësishme siç është kjo e reformës territoriale. Nuk dihet nëse mes dy palëve do të ketë një bashkëpunim sasa i përket kësaj reforme me interes për qytetarët shqiptarë, ndërsa ka qenë vetë kreu i grupit, Alibeaj që i ka bërë thirrje sot të gjithë deputetëve të PD-së, pa dallim, referuar këtu edhe mbështetësve të Berishës, që të bëhen bashkë në këtë çështje me interes për shqiptarët.

“Pushteti vendor u kthye në depozitë për militantët. Kërkon që edhe zgjedhjet e 2023 që t’i fitojë sërish në tavolinë. Kjo na vendos ne deputetëve të PD-së për ta çuar deri në fund. U bëj thirrje të gjithë deputetëve të PD-së, pas asnjë lloj dallimi, pasi na është kërkuar ne. E përsëris thirrjen për të shkuar dhe mbështetur nevojën dhe interesin e shqiptarëve.’- tha Alibeaj.

Shqipëria është pranë realizimit të reformës së radhës territoriale. Brenda 30 qershorit opozita dhe mazhoranca pritet të dorëzojnë rekomandimet e tyre në kuvend, ndërsa puna për reforma zgjedhore pritet të konkretizohet në muajin mars 2023. Sa i përket qëndrimit të PS-së, kreu i Grupit, Taulant Balla tha sot se i qëndrojnë ndarjes aktuale me 12 qarqe dhe 61 bashki.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?