TIRANË- Dy komisionet hetimore, ai për koncesionet në Shëndetësi dhe për sistemin TIMS, do të mblidhen ditën e nesërme në Kryesinë e Kuvendit.
Komisioni hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS do të konstituohet ditën e nesërme në orën 15:00. Ky komision do drejtohet nga deputeti demokrat Ervin Salinaji, ndërsa nënkryetar është Toni Gogu nga PS. Në mbledhjen e parë do të deklarohet qëllimi i ngritjes së komisionit dhe do të miratohet një plan i qartë pune. Palët do të dakordësohen nëse mbledhja do të jetë e hapur apo jo për publikun.
Po nesër, zhvillohet edhe mbledhja e dytë e komisionit hetimor në Shëndetësi, për dy koncesionet e sterilizimit dhe check up. Në këtë mbledhjen që do nisë në orën 10:00 pritet të caktohen ekspertët dhe institucionet që do t’i drejtohen për informacion. Rithemelimi ka thirrur rreth 16 dëshmitarë, mes të cilëve kryeministri Rama e ish ministrat e shëndetësisë Beqja e Manastirliu.
Këto dy komisione u ngritën, pas paktit PS-Rithemelimi për kthimin e normalitetin në Kuvend.
SI.E.//ReportTv.al