Ministri i Jashtëm, Igli Hasani

Nesër firmoset marrëveshja për njohjen reciproke të pensioneve, Hasani vizitë zyrtare në Itali! Merr pjesë në takimin me ministrat e Jashtëm të rajonit

5 Shkurt, 09:49| Përditesimi: 5 Shkurt, 10:05

  • Share

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet sot (5 shkurt) në një vizitë zyrtare në Itali ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga zv.kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.

Agjenda e Hasanit për ditën e sotme, 5 shkurt:

- Ora 11:00 - Ministri Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi di Sant'Agata.

- Ora 16:30 - Takim i Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Ndërsa ditën e nesërme (6 shkurt) në orën 10:00, Shqipëria dhe Italia firmosin marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore. Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve. Pas firmosjes së marrëveshjes, 2 ministrat e Jashtëm do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës u vjen në ndihmë mbi 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?