Berisha dhe Basha

Nëse PD nuk përshpejton procesin e saj riorganizativ, Shqipëria rrezikon nga Shtatori të rrëshqasë në populizëm e radikalizëm!

9 Korrik 2023, 14:42| Përditesimi: 9 Korrik 2023, 14:48

  • Share

Situata sociale, politike dhe ekonomike në Shqipëri është më e rëndë sesa duket në pamje të parë. Realiteti i shqiptarëve është në kafenetë që frekuentojnë, në familje apo në vendet e punës. Mos mendoni realitetin e shqiptarëve ta gjeni në lajmet e televizioneve, sepse shumica e këtyre të fundit janë në shërbim të establishmenti dhe po përpiqen me çdo formë dhe me analistë që ta ruajnë këtë status quo.

Shqiptarët kanë një pakënaqësi ndaj politikës të madhe e kjo është në heshtje. Sa më e madhe të jetë në pamje të parë heshtja e tyre aq më e rrezikshme bëhet e ardhmja politike e vendit e po ashtu aq më shumë rritet mundësia që Shqipëria të përballet me modele populiste e radikaliste.

Shqipëria rrezikon të ketë një Tsipras ose një model të ngjashëm me të pas shtatorit e këtë e favorizon fakti se Qeveria është e konsmuar dhe PD po ashtu është e vonuar dhe ngadaltë në procesin e saj riorganizativ. Nuk dua të ri analizoj faktin kush e pengojë riorganizimin e PD dhe pse e bënë, veçse mbetëm i idesë së palëkundur se ata kanë dashur shpërbërjen dhe eliminimin politik të kësaj force politike.

Ka një mos besim të madh të qytetarëve ndaj Qeverisë dhe kanë plotësisht të drejtë, por në njëjtën kohë dhe me qëllim është dëmtuar shumë besueshmëria e PD e për fat të keq kjo ka ardhur brenda saj. Është bërë një propagande e madhe kundër PD dhe kundër legjitimitetit të Bashës e kjo është bërë me motivimin për të ruajtur establishmentin e vjetër të kësaj partie, por në fakt kështu po nxisin që Shqipëria të rreshqas në populizëm e radikalizëm duke prishur të gjithë ekuilibrat ekzistues.

Shqiperia, sipas zërave që qarkullojnë nga shtatori rrezikon të ketë një Tsipras, i cili në fakt me hijen e të Djathtës, por me propozime tipike radikale të majta kërkon të manipulojë shqiptarët duke ju premtuar atyre barazi sociale dhe mirëqenie të barabartë me politikanët.

Përse Shqipëria nuk duhet të bie viktimë e populizmit? Populizmat nuk janë zgjidhje afatgjatë, por janë një entuziazëm imediat me pasoja më vonë. Prishja e pakontrolluar e ekuilibrave dhe sjellja e realiteteve të reja në politikë nuk është gjithmonë një ogur i mirë. Madje shpesh gjërat mund të bëhen më keq sesa janë duke sjellë përplasje sociale e duke e larguar gjithnjë e më shumë versionin institucional të bërit politikë

Shqiperia ka probleme të fshehura social, që janë aty të fjetura dhe nëse zgjohen papritur mund të sjellib probleme reale. Çështje reale është çështja e minoriteteve duke pasur parasysh Himarën, çështje tjetër e fjetur është ajo e nacionalizmit në raport me fqinjët e po ashtu Shqipëria ka edhe angazhime serioze si anëtare e Natos apo në lidhje me procesin e anëtarësimit të BE! Këto çështje institucionale mund të marrin një qasje tjetër nëse populzmi dhe radikalizmi bëhen oferta politike në vend. Populzmi mund të jetë një forcë që mund t'i zgjojë këto probleme dhe t'i nxjerrë jashtë kontrollit normal të natyrës institucionale.

Si mund të shmangen populizmat dhe radikalizmat në Shqipëri? Duke përshpejtuar procesin e riorganizimit të PD e duke e kthyer këtë në një forcë reale opozitare që i kundërvihet politikisht pushtetit nga mëngjesi deri në dark. Nëse PD vazhdon ta ketë të ngadaltë procesin e saj organizativ e duke pasur parasysh propagandën e egër që bëhet çdo ditë për të dëmtuar legjitimitetin e saj, ajo rrezikohet të zhduket si forcë politike e vendin e saj ta marrin forca që nuk kanë asnjë eksperiencë institucionale e që bazohen vetëm në fraza populiste duke denoncuar çdo gjë e duke sulmuar këdo, por pa afruar zgjidhje konkrete dhe reale.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?