Nëntë muaj në kërkim të artistëve të ardhshëm, Adela Muçollari: Udhëtuam në 6 qytete, Shkodra vendi i talenteve! Galaja e 'We are all made of stars 2' në Opera

30 Shtator 2023, 15:09| Përditesimi: 30 Shtator 2023, 15:31

  • Share

Të rinj të talentuar nga 6 qytete të Shqipërisë, performojnë sot në finalen e ‘We are all made of stars’. Solistja e parë e baletit, Adela Muçollari tregon rrugëtimin 9-mujor, nga audicionet tek finalja në Teatrin e Operas.

Pas 9 muajsh në kërkim të talenteve të reja, në 6 qytete të Shqipërisë, janë përzgjedhur të rinjtë që do të performojnë në finalen e edicionit të dytë të projektit “We are all made of stars”, të drejtuar nga Adela Muçollari.

“Ne kemi bërë audicionet në 6 qytete të Shqipërisë, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Elbasan. Do të finalizojmë mbrëmjen gala me të gjithë të përzgjedhurit, është një rrugëtim shumë i gjatë. Kemi zhvilluar edicione 3-4 ditore dhe në çdo qytet përkatës, duke kërkuar talentet e reja, që të na bashkohen dhe pse jo dhe ata të kenë motivim dhe të jenë pjesë e një mbrëmje gala që do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit”, shprehet Solistja e Parë e Baletit, Adela Muçollari.

Me një larmishmi performancash në balet, kanto, instrument e aktrim, të rinjtë do të shfaqin sot në orën 18.00 talentin e tyre, ndërsa solistja e parë e baletit në Teatrin e Operas tregon më shumë për përzgjedhjen.

“Si edicioni i parë, edhe i dyti vijon me të njëjtin staf, kemi Kristi Bellon që është kompozitor, pedagog. Ai mbulon pjesën e instrumenteve, dhe kantos, kemi dhe Anxhelon që është gjysma ime tjetër për kërkimin e yjeve dhe për spikatjen e talenteve më të mira”, thotë më tej Muçollari.

Tregon se talente Shqipëria ka shumë, dhe ky projekt i dedikohet promovimit të tyre.

“Edicioni i dytë ka pasur më shumë interes se sa i pari, unë do të veçoj Shkodrën, që është qyteti i talenteve, Madje atje i mbajtëm dy herë audicionet, pasi kishte shumë të rinj që kërkonin të merrnin pjesë”, shprehet më tej solistja.

Pas edicionit të parë të mbajtur në Amfiteatër, ka qenë kërkesa e Muçollarit për t’u mundësuar këtyre të rinjve, të performojnë në skenën e madhe të teatrit të Operas, që është edhe shtëpia e saj e artit.

“Kësaj here finalja është në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ishte dëshirë dhe kërkesë e imja, pasi artistët ëndërrojnë të debutojnë në skenën e madhe të Operas, dhe ky është një moment kur jepet kjo mundësi”, shprehet më tej Muçollari.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?