Drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi dhe akademiku Pëllumb Xhufi

Kultura

Nënshkruhet protokoll bashkëpunimi i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave dhe Muzeut Historik Kombëtar

24 Qershor 2021, 22:45| Përditesimi: 24 Qershor 2021, 23:05

  • Share

Është nënshkruar sot më 24 qershor 2021 protokoll bashkëpunimi i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar pranë Ministrisë së Kulturës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë dhe tha se lidhjet që Akademia ka me historinë dhe punën që po bën për hartimin e saj do të krijojnë një marrëdhënie të mirë të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy institucioneve, ndaj këto bashkëpunime janë të mirëpritura. 

Akad. Pëllumb Xhufi e cilësoi si të denjë dhe me një personel të formuar institucionin e Muzeut Kombëtar në lidhjen e kësaj marrëveshjeje dhe theksoi ndër të tjera se Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të sigurojë pjesëmarrjen e akademikëve në procesin e rikonceptimit e të pasurimit të linjave muzeale, ndërkohë që muzeu Historik Kombëtar do të kontribuojë me kapacitetet, fondet e fototekën në realizimin e projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.

Ky protokoll bashkëpunimi u firmos nga akad. Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe nga dr. Dorian Koçi drejtor i Muzeu Historik Kombëtar.

Palët ranë dakord të institucionalizojnë me anë të këtij protokolli një bashkëpunim të qëndrueshëm në arritjen e objektivave e të qëllimeve të përbashkëta për vitin 2021.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes sot në orët e paradites u mbajt edhe konferenca e përbashkët mes dy institucioneve, “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?