Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç

Nënshkroi ndryshimet në 'Ligjin për President', Gjukanoviç refuzon ta zbatojë: Nuk është përgjegjësia ime

16 Dhjetor 2022, 18:07| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 18:11

  • Share

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjuanoviç, ka nënshkruar ndryshimet në Ligjin për president, që më herët ishin miratuar në Parlament.

Deputetët e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, Demokratët dhe ata të lëvizjes URA të kryeministrit në Qeverinë teknike, Dritan Abazoviq, më herët kishin miratuar ndryshimet në Ligjin për president.

Gjukanoviç njoftoi më 16 dhjetor se nënshkrimi i dekretit për Ligjin për president ishte obligim kushtetues, por obligim nuk është edhe zbatimi i këtij ligji.

“Përgjegjësia për zbatimin e këtij ligji jokushtetues bie mbi ata që e kanë miratuar. Nuk kam asnjë synim që të marr pjesë në këtë”, tha Gjukanoviç, duke sqaruar se ai nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e ligjit sepse e konsideron jokushtetues.

Sipas ligjit të dekretuar, Gjukanoviç duhet të mbajë konsultime me partitë dhe të mandatojë një kandidat të shumicës parlamentare që të formojë Qeverinë e re.

Nëse ai refuzon të mandatojë kandidatin për kryeministër, sipas ligjit të ri, shumica parlamentare do të marrë fuqitë e tij kushtetuese sa i përket nominimit për mandatarin e Qeverisë.

Më herët, edhe Gjukanoviç dhe partia e tij, Partia Demokratike Socialiste e kanë kundërshtuar këtë ligj, duke e cilësuar si “grushtshtet kushtetues”.

Rekomandimi i Komisionit të Venecias – trupit këshillues të Këshillit të Evropës – thoshte se ligji nuk duhet të miratohet sepse “ndryshon dispozitat e Kushtetutës”. Bashkimi Evropian ka kërkuar nga shumica parlamentare të pranojë mendimin e Komisionit dhe të tërhiqet nga ndryshimet kundërthënëse në këtë ligj.

Ndryshimet në ligj ishin propozuar nga Fronti Demokratik pro-rus, me qëllim që t’i japin mandatin kandidatit të tyre, Miograd Llekiq, për të formuar Qeverinë e re të Malit të Zi. REL

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?