Negociatat/ Analisti Mërtiri: Rama zgjodhi Berishën kryetar opozite, marrëveshje me non grata!

16 Mars, 18:14| Përditesimi: 16 Mars, 18:27

  • Share

Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar në Report Tv negociatat PS-Rithemelimi për t’i dhënë fund kaosit në Kuvend. Mërtiri thotë se në fakt kjo është një marrëveshje Sali Berisha-Edi Rama, ndërsa thekson se kryeministri ka njohur Berishën si kryetar opozite.

Sipas Mërtirit, Rama ka qenë më i interesuari për kaosin në Kuvend, pasi kalonte ligjet pa diskutime. Ndërkohë, ai thekson se tashmë Rama-Berisha po ndihmojnë njëri-tjetrin.

"Rama ka zgjedhur Berishën për kryetar opozite, ndërkohë Berisha ka zgjedhur politikën e butë ndaj Ramës. Ka zgjedhur të qëndrojë aty duke mbajtur Ramën në pushtet. Aksioni politik i këtyre muajve i ndihmonte vetëm Ramës duke bërë opozitën e flakadanëve, tymueseve, është opozitë qesharake që ndihmon vetë Ramën për të treguar shiko ca kam përballë. Me aksionin e tyre opozita ka ndihmuar Ramën të kalojë edhe buxhetin pa asnjë debat", tha Mërtiri.

Mërtiri nuk e konsideron një marrëveshje mes PS dhe grupit opozitar të PD, pasi sipas tij Gazment Bardhi është përfaqësues i Berishës non grata.  

“Pse Rama duhet të ulet në tavolinë dhe t’i japë Berishës pretendimin se ka korrur një fitore. Ndihmojnë njëri tjetrin me këtë marrëveshje. Bardhi është nënkryetar i non gratës dhe ai përçon politikën e non gratës. Bardhi është përfaqësues i opozitës së non gratës”, vijoi Mërtiti.

Analisti Mërtiri thotë se Rithemelimi ka marrë në këmbim dy komisone që nuk kanë asnjë vlerë dhe që nuk hetojnë Ramën. Sipas tij, grupi i Berishës ka si qëllim të vetëm luftën brenda llojit, pra që të mundin grupin e Lulzim Bashës.

“Ata kanë marrë dy komisione që nuk hetohet Rama. Në njërin hetohen ndërhyrjen në TIMS, kurse në tjetrin Ilir Beqja. Këta kanë fituar dy komisione që nuk i hyjnë në punë askujt dhe kanë lënë pa kërkuar komisione për të hetuar Ramën, si udhëtimet me charter.

E vërteta nuk është se opozita e Berishës ka qëllim të hetojë Ramën, por ka qëllim të mundë opozitën tjetër alternative që është Basha. Lufta është brenda llojit”, tha Mërtiri.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?