Periferi

Në Vlorë, në mëngjes të një sezoni

12 Maj 2020, 11:41| Përditesimi: 12 Maj 2020, 12:32

  • Share

Që të vegjël fëmijët qajnë shumë. Duket se që atëherë zbulohet “taktika” për të tërhequr vëmendjen e prindërve, për t’i pasur ata përreth. Cili prind do të shqetësohej nëse fëmija do të qeshte e luante plot hare? Do ta linte aty të qetë e do të mbaronte punët e ditës dhe kur të gjente kohë, do të merrej me fëmijën, apo fëmijët, kur janë më shumë se një. Pastaj rritemi. Edhe të rriturit kanë mësuar të veprojnë njësoj: E kemi kuptuar se vetëm nëse bërtasim, sëmuremi, qahemi, shajmë, kemi vëmendjen e të tjerëve më shpejt dhe më shumë. Familjarët shtrëngohen rreth njëri-tjetrit më shumë në ditë sëmundje. Kur shëndeti e mirëqenia është mes të gjithëve, humb vëmendja. Mes fëmijëve të një familje, do të marrë më shumë kujdes “më problematiku”. E me ankesat, dhimbje, qarje, sharje ushqejmë njëri-tjetrin. Kështu edhe ne, gazetarët. Sigurisht që detyra jonë është të nënvizojmë problemet, të nxjerrim në dritë paktet e fshehta dhe lojërat në kurriz të njerëzve, por, pa anën tjetër të medaljes, të mirën, edhe puna e gazetarit është si ajo e fëmijëve qaramanë, që shqetësohen vetëm për vëmendje. E kuptojmë besoj se përse vetëm shajnë e bërtesin disa? Njohim dhe përfitimet që kjo taktikë ka në vëmendje e gjëra të tjera.

Për të shkruar për Vlorën, për fundjavën e parë të këtij sezoni kaluar në qytetin bregdetar, duhej të prisja tri ditë. Të lija të kalonin përshtypjet dhe euforia e çastit, për të kuptuar më mirë se çfarë emocionesh më la qyteti ynë, lider në sektorin e turizmit. Mund të ishin të shumta ankesat dhe ato më vinin të parat në mendje, por çdo ditë e më shumë brenda meje po mbetej vetëm drita, mirësjellja dhe dëshira për t’u rikthyer. Drita e një qyteti të pastër, të ringjallur nga çehrja e keqe e 1997 dhe mirësjellja e të rinjve në strukturat mikëpritëse ende të përgjumura pas masave të Covid-19. Nuk janë ende perfektë; vonojnë ndonjë porosi, harrojnë pjesë të shërbimit, por ajo që të mbetet e pashlyer është buzëqeshja, dora që dridhet dhe ecja gati me vrap në përpjekjet për të bërë më të mirën. Turizmi në Vlorë është si një ilaç që lëshon ditë pas dite benefitet e tij tek turistët. Bukuria dhe pastërtia në Zvërnec, thjeshtësia dhe misticizmi i Manastirit aty, gatishmëria edhe e një roje të thjeshtë të tregojë gjithçka nga historia dhe njerëzit që jetuan e u dënuan në ishullin magjik. Kudo përshendesin dhe kanë respekt për gazetarët; edhe ata që nuk e mendojnë si ty, kundërshtojnë, por mbanjë distancat e duhura me mirësjellje.

Edi Leli, miku ynë që sot nuk jeton më, e tregonte bukur Vlorën. “Nuk e ndërroj me Tiranën, - thonte, - mezi pres të mbaroj punë e të kthehem në Vlorë”. Ka shumë të vërteta në fjalët e tij; natyra është treguar shumë zemërgjërë me këtë pjesë të Shqipërisë që nuk i mungon as deti dhe as mali, as lumi dhe as ishulli e gadishulli, por mbi të gjitha njerëzit e vërtetë. Më duket se nga një vlonjat, ndryshe nga anë të tjera të Shqipërisë, e merr më thjeshtë të vërtetën. Dhe këtë herë, nga ky udhëtim, më mbeti drita e qytetit dhe rrahja e fortë e zemrave të të rinjve të punësuar në turizëm. Nga ai pulsim plot jetë, Vlora dhe kush e viziton atë, mund të marrë më të mirën.

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • agron: 13/05/2020 12:18

    mmmmmmm sa artikull i bukur dhe kuptimplote.eshte qytet vertet mbreslens,une jam shume i dashuruar me Vlorën.cdo gje është perfekte dhe ne harmoni te plote me natyren.njerzit jane fisnike dhe te embel.jam i dashuruar me Vlorën,qytet i ëndërrave te mia.une e dua Vocin shumë ajo eshtë vërtet Vlora ime.

    Përgjigju
  • Hinglateri: 12/05/2020 22:46

    Ekselent

    Përgjigju
  • miri: 12/05/2020 15:38

    Edi Leli ishte njeri punetor dhe nje vlonjat i rralle. Respekt per kete familje vlonjate dinjitoze

    Përgjigju
  • vlonjati: 12/05/2020 12:13

    Faleminderit per fjalet e mira

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?