Kronikë

'Në Shqipëri laboratorë të kokainës për Evropën', eksperti Softa: Droga e kapur të lihej të shkonte në destinacion! Durrësi, nyje strategjike për trafikimin lëndëve narkotike

14 Korrik 2021, 16:10| Përditesimi: 14 Korrik 2021, 14:22

  • Share

Një ton kokainë e kapur në 4 muaj, për ekspertin e fushës kundër krimit, Fatjon Softa, do të thotë se Shqipëria është pikë kyçe edhe e përpunimit të kokainës.

“Është çmenduri të mendosh këtë sasi kaq të madhe që kalon në një vend me 3 milionë banorë. Këtu ka laboratorë, siç herë pas here pa kapen, përpunues dhe përgatitës. Këto pastaj janë dalje për në Bashkimin Evropian”, thotë Softa.

E njëjta skemë, droga e fshehur në banane apo në mish, vëzhgohet nga Ekuadori, në portin e Pireut ose në një tjetër port perëndimor, dhe ndalohet në portin e Durrësit. Cilët janë porositësit?

“Meqenëse e vëzhgove në të gjithë rrugën, edhe në portet tranzit, deri në momentin e zbritjes, pse nuk e lë ngarkesën të shkoj në destinacion. Ky ndalim të bëhej në objekt, atje ku është vendi i shkarkimit dhe arrestimet të bëhen dhe me filmime”, thotë Softa.

Specialisti i policisë, Fatjon Softa, e sheh portin e Durrësit si pikën më strategjike të trafikut. Jo vetëm për pozicionin gjeografik, por edhe atë ekonomik.

“Gjithë tendenca e ngarkim-shkarkimit dhe import-eksporteve ngelin tek porti i Durrësit. Është porti më i madh edhe nga pikëpamje potenciale njerëzore, por edhe nga pikëpamja e kalimit të mallrave. Kështu që, mundësia për të depërtuar është”, shprehet specialisti Softa.

Vitet e fundit, sipas Softës, janë shtuar kontrollet. Për të pasur sukses, duhet më shumë punë.

“Efektiviteti i policisë shqiptarë, partnerëve dhe vetë punonjësve atje në Durrës, të cilët përballen me sikletet e tyre, tregon që ka kontroll, por nuk është në nivel 100%. Fakti që kanë kaluar dhe depërtuar, përveç rasteve që janë ekspozuar, tregon se duhet punë më e madhe”, përfundon Fatjon Softa.

Në lidhje me sasinë e kapur të lëndës narkotike këtë të martë në Durrës është arrestuar Barjon Gumeni, administrator i firmës dhe një punonjës tjetër, Jurgen Osmani. Gumeni, para grupit hetimor është shprehur se nuk ka lidhje fare me drogën e kapur, ndërsa ka shtuar se kompania ka porositur vetëm banane. Ndërsa, sipas tij, droga në kontejneri ishte vendosur në pjesën e jashtme.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?