Në pritje të paradës

7 Maj 2022, 18:28| Përditesimi: 7 Maj 2022, 18:29

  • Share

Në jetën e Bashkimit Sovjetik parada e 9 majit ka qenë një moment kulmor, që përmes demonstrimit, ushqente popullin me propagandën e “sistemit më të arritur”, me përkëdheljen e sedrës popullore për “ushtrinë më të fortë botë”, me shpalosjen e teknikës dhe teknologjisë “më të përparuar”, që kish dalë triumfuese në hapësirë. Këtë traditë, pas shpërbërjes së perandorisë, Rusia e vazhdoi, e ndodhur pothuaj gjithnjë nën ndikimin e kërkesave e dëshirave të krahut të forcave të sigurimit, pasuesve të KGB, të cilët trashëguan drejtimin e shtetit. A do ta shpallë luftën në 9 maj Putin? Të gjithë janë në pritje!

Epoka e Luftës së Ftohtë paska qenë “një lodër fëmijësh”, krahasuar me përjetimet e kërcënimeve të frikshme bërthamore, që herë Putin, herë Lavrov dhe herë një kastë ushtarakësh të lartë rusë i përmendin me egërsi, por që SHBA dhe Europa i ka marrë deri tani si shantazh. E vërtetë apo shantazh gangsterësh, askush nuk e di përveç diktatorit Putin?! Koha do ta tregojë? Agresioni rus ndaj Ukrainës, këcënimet ndaj Moldavisë, shteteve të detit Balltik, Finlandës, Ballkanit, etj., na e shfaq Federatën e Rusisë një shtet ku e ku më të rrezikshëm për paqen botërore se sa ish Bashkimi Sovjetik i epokës të Luftës së Ftohtë. Të paktën, në kohën e BS krerët e saj e kishin firmosur një marrëveshje për mos përdorimin e armëve bërthamore.

Në pritje të 9 Majit, ditës kur Rusia feston fitoren mbi fashizmin, shumë prej kronistëve që ndjekin sa mundin fushëbetejat në Donbas, Mariupol, Azovstal, etj., parashikojnë se Putin do ta shfrytëzojë epikën e kësaj date për të sulmuar Moldavinë; për të shpallur bashkimin me Rusinë të dy të ashtuquajturave republika në lindje të Ukrainës. Janë supozime, por e padiskutueshme do jetë në fjalimin tradicional të Putinit theksimi i bindjes së tyre të verbër se Bashkimi Sovjetik ishte faktori kryesor i fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe se roli i SHBA-së dhe Britanisë ishte i papërfillshëm.

Në nderim dhe respekt të të rënëve rus, ukrainas, gjeorgjian, të popujve sovjetikë të Azisë, pa mohuar sakrificat e popujve e vuajtjet e tyre të përmasave biblike, në këtë çështje, ku gjithmonë ka patur debat e është bërë diskutim, momenti i këtij agresioni mbi ukrainasit na nxit të vëmë në dukje disa çështje që pranojnë diskutime.

Si ditën e nënshkrimit të kapitullimit gjerman pa kushte dhe atë të festimit të fitores, Rusia zgjodhi 9 Majin. Ajo ua diktoi këtë datë vasalëve të të gjithë vëndeve të ish kampit socialist. Por dihet se në datën 8 maj gjermanët e kishin nënshkruar kapitullimin. Këtë datë, 8 majin, që sot e quajmë “Dita e Europës”, festojnë Britania dhe Franca. 9 Majin, ditën e fitores mbi fashizmin, tani e shpjegojnë si ndryshim orari mes Moskës dhe orës 23, kur u nënshkrua kapitullimi. Ky ndryshim date do ishte, si të thuash, parathënja e dallimit, se muri po ngrihej, se perdja e hekurt ishte duke u vendosur edhe pa u kryer ende konferenca e Potsdamit, ku përfundimisht Polonia, për shtetin e popullin e të cilës kish filluar lufta, do të ngelej nën sundimin rus. Por në kohën time të shkollës së mesme librat e historisë shkruanin se data 9 maj ishte përfundimi i luftës, se pavarësisht se ishte firmosur një kapitullim, lufta në Pragë vazhdonte kundër një grupimi nazist esesësh. Në të vërtetë, duhet kuptuar ajo që mendonte e vepronte Bashkimi Sovjetik: ditën e fitores vendos unë!

Projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve, “Lend-Lease”, i paraqitur zyrtarisht si një Akt për Mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, i miratuar më 11 mars 1941, ishte një politikë sipas së cilës Shtetet e Bashkuara, përpos Britanisë së Madhe, etj., do furnizonte sidomos Bashkimin Sovjetik me ushqim, automjete, armatim, naftë, veshmbathje dhe materiale të tjera mes viteve 1941 dhe 1945. Pa drithrat e Shteteve të Bashkuara rusët nuk do kishin çfarë të hanin. Ndihma u dha se ajo do ishte thelbësore për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Furnizimi i Rusisë, pothuaj 5 vjeçar, përfundoi më 20 shtator 1945. Në përgjithësi, ndihma ishte falas. Rreth 150 miliard dollarë (me kursin e sotëm) Shtetet e Bashkuara i dërguan ndihma Bashkimit Sovjetik, si dhe për ngritjen e Europës së rrënuar nga lufta. Përmes planit Marshall u përdorën edhe 22 miliard dollarë të tjerë.

Gjatë çdo 8 maji rusëve u është thënë se fitorja mbi fashizmin, kurora e tyre e lavdisë, u arrit përmes një lufte kombëtare, të shenjtë, të madhe e patriotike. Ky është një pohim i vërtetë, por a mund t’i thuhet popullit rus se edhe lufta kundër Ukrainës është e tillë, duke qenë se ata, e dinë të gjithë, i madh e i vogël, se Rusia nuk ka qenë nga askush e kërcënuar, ca më pak nga Ukraina.

Ngritja e perandorisë së rënë, për të cilën bëhet kjo luftë që ka sjellë prishjen e paqes në Europë e më gjerë, me gjasa, mund të përdorë çdo argument!

 

 

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?