Kronikë

Në një makinë me Bledar Birçajn që u ekzekutua në Vlorë, Ardi Veliu përjashton nga Policia e Shtetit efektivin e Antidrogës

17 Qershor 2021, 18:41| Përditesimi: 17 Qershor 2021, 19:19

  • Share

Granit Deromemaj, efektivi i Antidrogës, i cili ishte në një makinë me vlonjatin Bledar Birçaj, në momentin kur ky i fundit u ekzekutua me breshëri kallashnikovi, është përjashtuar nga Policia e Shtetit.

Vendimi është firmosur nga Drejtori i Policisë, Ardi Veliu, ndërkohë që përjashtimi i tij ka lidhje me faktin se ai nuk reagoi në momentin që ndodhi ngjarja, edhe pse kishte armën e shërbimit me vete. Gjithashtu ai akuzohet se kishte dijeni që Birçaj lëvizte me armë pa leje në makinë, por e ka fshehur këtë fakt.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Deromemaj ka thënë se njihej me viktimën prej kohësh.

Ngjarja ndodhi në 11 maj të këtij viti në Vlorë, ku viktima Bledar Birçaj u ekzekutua në makinën e tij. Në të njëjtin mjet ishin edhe efektivi Deromemaj dhe një kushëri i viktimës, të cilët fatmirësisht i shpëtuan plumbave.

Kamerat e sigurisë së një karburanti afër vendit ku ndodhi ngjarja regjistruan të gjithë skenën, ku duket edhe efektivi i cili del nga makina pas atentatit she largohet me vrap.

Vrasja e Bledar Birçaj nuk është zbardhur ende, ndërsa pista kryesore e hetimit janë konfliktet që 38-vjeçari mund të ketë pasur në Spnjë, prej nga ishte kthyer prej mëse 1 muaji.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?