Në mars raport-progresi/ Ku është Shqipëria me 'detyrat e shtëpisë' sipas zyrtarëve të BE?!

18 Shkurt 2020, 18:01| Përditesimi: 18 Shkurt 2020, 18:20

  • Share

TIRANË - Shqipëria do të mësojë nëse ka plotësuar kushtet për të hapur bisedimet me Bashkimin Europian në muajin mars, ku dhe pritet që të publikohet progres- raporti i Komisionit Europian, përpara Samitit të Zagrebit që do të mbahet me 6 dhe 7 maj, ndërsa sa i përket Maqedonisë së Veriut është caktuar një afat më i afërt, para marsit.

Por a do të jetë i njëjti rrugëtim si tetorit, që vendi ynë të ecë paralel dhe me të njëjtin vendim si me Maqedoninë e Veriut, kjo mbetet për t'u parë. Shteti fqinj , thonë burime nga zyrtarë të BE-së për Report Tv, pritet të mësojë progresin e bërë përpara muajit mars, (në fund të shkurtit) kur Komisioni Evropian të publikojë raport-progresin për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Të dyja progres- raportet e vendeve që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian do të jenë në tryezën e diskutimit në samitin e Zagrebit. Por ende është e paqartë nëse, ashtu sikurse në tetor, diskutimi do të zhvillohet në bllok pavarësisht progresit të veçantë që mund të ketë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Nëse progres- raporti do të jetë i ndryshëm atëherë e gjitha do të varet nga shtetet anëtare. Sipas zyrtarëve të BE-së, vendet anëtare kanë qëndrime të komplikuara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për këtë arsye nuk mund të japin ende një qëndrim përfundimtar.

Por tashmë, rruga drejt hapjes së negociatave, duket me më pak "shtigje". Metodologjia e zgjerimit të Bashkimit Europian ka ndryshuar, përkthyer kjo në shpresë për një vendim pozitiv, por me këmbët në tokë, siç edhe kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur më herët. Presidenti francez Macron "zbuti" qëndrimin e tij, duke pohuar se do të ishte dakord me çdo rekomandim që KE-ja do të vendoste, ndërsa metodologjia e re në thelb ka ndryshimin e rëndësishëm që nëse një shtet kandidat që hap negociata bën një hap pas, atëherë procesi mund të bllokohet duke kaluar sërish në pikën zero.

Nga komunikimet që gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri ka pasur me zyrtarë të Bashkimi Evropian ë Bruksel, pika e dobët e Shqipërisë është drejtësia, ku një nga kushtet nuk është plotësuar, me një Gjykatë Kushtetuese të paplotësuar dhe që është "molla e sherrit" mes mazhorancës dhe politikës si dhe me një Gjykatë të Lartë që nuk funksionon ende. Nga tetori deri në mars, Shqipëria i ka pasur të qarta detyrat e shtëpisë vendosur nga Bundestagu gjerman. E njëra prej tyre, reforma zgjedhore, duket të jetë në rrugën e duhur, pasi palët janë ulur në tryezë me pritshmëritë për ta miratuar me konsensus brenda 15 marsit.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?