Adelina Hakrama Islamaj

Në luftë me koronavirusin për shërimin e pacientëve, postimi prekës i vajzës së infermieres: Nuk dihet fati i Linës time

10 Mars 2020, 21:39| Përditesimi: 10 Mars 2020, 21:44

  • Share

Pa dyshim që mjekët janë heronjtë e vërtetë në këto ditë ankthi dhe frike nga koronavirusi që preku edhe Shqipërinë. Mjekët te Infektivi dhe në karantinë do të 'burgosen' gjatë gjithë kohës brenda duke qëndruar larg familjes për disa ditë me qëllim shërimin e pacientëve që do të rezultojnë pozitivë. Njëra nga infermieret në gatishmëri është edhe Adelina Islamaj, ndërsa vajza e saj, Tea ka bërë një postim prekës.

Postimi i plotë i Tea Islamajt
Lina ime në front të parë me coronavirusin. Për të gjithë ju që nuk e njihni, kjo është Lina ime, një ndër mijëra bluza të bardha në Shqipëri dhe ndoshta miliona në botë që do përballen në front të parë me coronavirusin. Jam ndjerë gjithmonë krenare për të, por sot krenaria ime kalon përtej sublimes. Lina ime është infermiere dhe ashtu me temperaturë vetë (grip i zakonshëm për ta qartësuar) është ngritur prej shtratit dhe ka shkuar në mbledhjen e emergjencës në ambientet e QSUT sot. I kanë thënë për gadishmëri të plotë në rast nevoje për ndërhyrje në pavionin e karantinës.

Ashtu si Lina ime, edhe qindra kolegët e saj.

Lina dhe kolegët e saj do të duhet të mbyllen në karantinë të kujdesen për të infektuarit.

Lina ime dhe kolegët e saj do duhet të mos dalin nga karantina deri në qetësim të situatës.

Lina ime dhe kolegët e saj do hajnë, do pijnë, do lahen, do flenë brenda karantinës.

Lina dhe kolegët e saj do qëndrojnë për një farë kohe larg nga ne familjarët e tyre, pa na përqafuar, pa pirë një kafe me ne.

Teksa po e pyesja se ç’kish ndodhur dhe ç’ish vendosur në mbledhje, me gjysëm zëri më tha: Nuk kam frikë nga aty brenda, do jem e sigurtë. Kam frikë të qëndroj pa ju në këtë periudhë.

Nuk e mohoj që u emocionova, por pa e dhënë veten në sy të saj. Arrita të reflektoj me qetësi, siç kam bërë në gjithë këtë periudhë “paniku” e dola në disa konkluzione të thjeshta.

Sot hero nuk është shishja e dezinfektantit, as maska, as letrat e lagura. Sot heronj janë mjekët, infermierët, doktorët, sanitarët. Po po. Sot heronj janë këta persona që i kemi përdhosur imazhin ndër vite si hajdutë, të paaftë, lekistë, të papërgjegjshëm se nuk na injektojnë dot ilaçin që mungon në raft për mijëra arsye që populli nuk i di.

Do jenë bluzat e bardha, të cilët për hatër të pasionit dhe humanitetit për profesionin e tyre, do jetojnë së bashku me virusin. Do arrijnë të mësohen me të, të luftojnë me të, ta zhdukin atë.

Lina ime dhe kolegët e saj do ndalojnë kohën e tyre për hatër të një elementi mikroskopik të quajtur COVID-19. Nuk dihet fati i Linës time dhe kolegëve të saj. Nuk dihet as sa do zgjasë “burgosja” e tyre brenda një spitali, as sa do më duhet ndoshta të qëndroj larg sime mëje, por di që sot bluzat e bardha janë i vetmi shpëtim që na ka mbetur.

Janë të vetmit që po luajnë çdo gur për hatër të mbijetesës së qenies njerëzore.

Shikojeni mirë fytyrën e Linës time, edhe të kolegëve të saj. Sot janë në një luftë me skemë dyportëshe “Ata kundër Coronavirusit”.

Lufta është e fituar, mjafton bashkëpunimi, të ruhet qetësia dhe të tregohemi të kujdesshëm. Nuk ka vend për alarm!

Bluzat e bardha e kanë situatën në dorë!

Komento

Komente

  • Robert: 11/03/2020 06:31

    Nderim dhe respekt per keta heronj te jetes

    Përgjigju
  • vera: 11/03/2020 00:46

    AQ te ndyre e keni bere kete shtet o politkqen sa nuk e kane njerezit te vdesin duke qeshur,,,me mire te vdekur se jeta ne kete shtet felliqesire te quajtur shqiperi...

    Përgjigju
  • Erik: 10/03/2020 22:01

    Dalte shendoshe Lina nga kjo lufte dhe faleminderit per sakrificen e madhe qe po ben ne kete situate te veshtire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?