‘Në Librari’/ ‘Apostulli’ e Pavarësia, kërkesa e Fan Nolit ndaj Ismail Qemalit! Nga ’97 te suksesi, historia frymëzuese e motrave Zalli! ‘Kinezët e fundit’ të Shqipërisë

27 Nëntor 2023, 07:20| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 16:44

  • Share

Titulli: “Mirëmëngjes, shpresë”

Autor: Argita & Detina Zalli

Shtëpia Botuese: Pegi

Çmimi: 1200 lekë

Ato ishin vetëm 9-vjeç kur breshëria e plumbave u ndërpret lojën... Pasigurinë e ’97-ës familja Zalli e përjeton në lëkurë, ndërsa shpëtimin e kërkojnë përmes largimit në Londër. Një jetë e ndërtuar me sakrifica, të cilën Argita dhe Detina, sot në majat e shkencës, e rindërtojnë në librin “Mirëmëngjes, shpresë” të sjellë në shqip nga Erdi Ibro. Shënimet e ditarit që kanë mbajtur i ndihmojnë të rrëfejnë qoftë ditët e vështira, kur në moshë të vogël u duhet të punojnë për të ndihmuar familjen, të duronin diskriminimin, apo frikën e një trokitje në derë që mund t’i kthente në vend në pritje të letrave... deri tek rezistenca për të arritur ëndrrën... Si studente të shkëlqyera ato fituan bursa studimi për mjekësi molekulare, që u hap rrugën për të punuar e studiuar në universitetet më të mira, deri edhe me shkencëtarë nobelistë...

Titulli: “Fan Noli – Apostulli”

Autor: Ilir Ikonomi

Shtëpia Botuese: UETPress

Çmimi: 1800 lekë

Fan Nolin si “Apostull” studiuesi Ilir Konomi zgjedh ta sjellë përballë lexuesit përmes fakteve. Vëllimi i parë i jetëshkrimit e sjell këtë personazh kyç të historisë kombëtare të plotë, ku krahas kontributit historic, fetar e intelektual ai i paraqet lexuesve edhe ambiciet e dobësitë e tij. Në 430 faqe Konomi ka hulumtuar në arkivat vendase e të huaja, duke sjellë fakte pak të njohura rreth Nolit nga viti 1906, me mbërritjen e tij në Amerikë, deri në vitin 1920 kur vjen në Shqipëri. Si e përgjonin amerikanët, me dyshimin se ai ishte agjent i Austrisë, dëshira e tijpër t’iu bashkuar Shpalljes së Pavarësisë apo për t’u bërë ministër, janë vetëm disa prej ngjarjeve që sjellin Fan Nolin e plotë, por edhe sfondin historik të kësaj periudhe.

Titulli: “Kinezët e fundit”

Autor: Petrit Xhaferi

Shtëpia Botuese: MediaPrint

Çmimi: 700 lekë

Janë vitet ’70-75. Ben Hetës, si përkthyes,  do t’i duhet të shoqërojë një grup kinezësh specialistë që do ndihmojnë në ndërtimin e një objekti ushtarak me rëndësi në regjimentin fortifikues në Paradis, ku është edhe sekretar i komitetit të rinisë. Sistemi komunist ndërkaq kaq ka forcuar masat e ndalesat, veçmas për shfaqjet e huaja dhe qëndrimet liberale ndaj tyre…, aq sa pinjollët e bindur të partisë si komisari Alo Kapitani bëhen qesharakë me urdhëresat e tyre… Ndërkaq diktatori vijon të kërkojë forcimin e ‘fortesave’ që do ta mbrojnë nga një armik i mundshëm.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?