Në Librari/ Mësuese në Norvegji, Flavia dhe misteri i ‘Vajzës që donte të shpëtonte librat’! Blogu i saj ka 20 milionë vizitorë në muaj, librat motivues të Robbins

16 Korrik 2023, 07:22| Përditesimi: 16 Korrik 2023, 07:41

  • Share

Titulli: “Vajza që donte të shpëtonte librat”
Autor: Klaus Hagerup
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 750 lekë

Lexonte kudo e në çdo kohë, Ana i adhuronte librat. Aq sa merr përsipër misionin për të shpëtuar nga rreziku titujt në bibliotekë që nuk i huazon askush. “Vajza që donte të shpëtonte librat”  i shkrimtarit të njohur norvegjez Klaus Hagerup vjen në shqip nga Flavia Maca, përkthyese dhe mësuese shqiptare në vendlindjen e autorit. Me një gjuhë të pasur, libri nuk duhet humbur nga të dashuruarit pas leximit, e njëherazi i shoqëruar me ilustrimet fantastike të Lisa Aisatus ka potencialin të frymëzojë ata vogëlushë që kanë lexuar pak, jo vetëm të zbulojnë se si Ana kërkon të shpëtojë librat, por edhe të ndjekin shembullin e saj.

2 libra një autor

Titulli: “Shprehia e vetëbrohoritjes”
Autor: Mel Robbins
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 1000 lekë

Titulli: “Rregulla e 5-sekondëshit”
Autor: Mel Robbins
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 1200 lekë

Konsiderohet si një nga ekspertet më të mira amerikane, që frymëzojnë njerëzit për sukses në punë dhe në raportet ndërpersonale. Dëshmitë në blogun e Mel Robbins që ka afro 20 milionë vizitorë çdo muaj tregojnë se librat e saj motivues, ku ofron një sërë zgjidhjesh efektive, psikologjike e sociale i kanë nxitur të kapërcejnë limitet, duke gjetur rrugën për të përmbushur objektivat. Era dhe Adela Buçpapaj sjellin për lexuesin shqiptar dy tituj motivues të Robbins, “Shprehia e vetëbrohoritjes” dhe “Rregulla e 5-sekondëshit”.

Titulli: “Kikirika Xhons dhe qyteti i ilustruar”
Autor: Rob Biddulph
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1150 lekë

Gjatë izolimit të pandemisë ai arriti të bënte për vete mbi 45 mijë familje me të rritur e vogëlushë që e ndiqnin dhe vizatonin e pikturonin me të. Fitues i një sërë çmimesh prestigjioze, autori dhe ilustratori i njohur anglez Robb Biddulph vjen në shqip me librin për fëmijë “Kikirika Xhons dhe qyteti i ilustruar”, të përkthyer nga Petro Plasa. Përdor fantazinë e tij, të dhëna interesante për artin pamor që i harmonizon me letërsinë artistike për të mbërthyer lexuesit e vegjël në një botë magjike, ku raportet në familje dhe miqësia janë thelbësore.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?