Në Librari/ Katër titujt e rinj për këtë fundjavë, ‘Dy gratë e një burri’, ‘Theofan Popa - martir i shkencës’, ‘Demonët e demokracisë’, ‘Fshati me 13 sekrete’

5 Maj, 10:11| Përditesimi: 5 Maj, 13:16

  • Share

Titulli: “Dy gratë e një burri

Autore: Laura Olldashi

Shtëpia Botuese: “Toena”

Çmimi: 1500 lekë

“Dy gratë e një burri” është libri i tretë i Laura Olldashit, ku përzgjedh tregime nga botimet e mëhershme “Atman” dhe “Asgjëja ime”, si dhe të tjera. Mjeke në profesion, në Itali ku emigroi në ’98-ën, letërsia për autoren është ‘vendi ku arratiset’ nga ritmet e shpejta të jetës.  Rrëfimet e saj gati surreale, vijnë si një kompozim artistik letrar, me sfondin në përvojën jetësore, dhe ngjyrime nga një larmishmëri artesh. Tregimtaria e Olldashit, sjell kështu përmes fantazisë një fllad të letërsisë së të ardhmes në vendin tonë.

Titulli: “Theofan Popa – martir i shkencës

Autor: Grup Autorësh

Shtëpia Botuese: “Mediaprint”

Çmimi: 1500 lekë

Shumë objekte me vlerë që sot gjenden në muzeumet shqiptare, janë të koleksionuara, duke i shpëtuar shkatërrimit, nga Theofan Popa. Një grup autorësh (Pirro Thomo, Aleksandër Meksi, Kostandios Giakoumis, Sokol Çunga, Andi Rëmbeci, Era Xhaferaj dhe Anisa Ymeri) , e sjellin studiuesin e trashëgimisë sonë si “Martirin e Shkencës”. Pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në studimet e artit bizantin dhe postbizantin në muralet e mbishkrimet kishtare, ikonat dhe kodikët, diktatura e persekutoi pasi studiuesi teolog nuk mundi të mohojë besimin e tij në Zot dhe u akuzua për propagandë fetare.

Titulli: “Demonët e demokracisë

Autor: Ago Nezha

Shtëpia Botuese: “Pex”

Çmimi: 1500 lekë

Një zë intelektual aktiv në jetën politike, sociale e kulturore në vendin tonë. Publicisti Ago Nezha prezantoi këtë javë botimet e tij “Ishim mirë kur ishim keq” dhe “Demonët e demokracisë” . Në shkrimet e tij ai ‘skanon’ problemet e shoqërisë shqiptare në mbi tre dekada demokraci, duke reflektuar mbi shkaqet e pasojat. Nga shkatërrimet e uzinave, tek aferat korruptive,  vesi, virtyti e komunikimi, refleksionet e autorit ndalen në fenomene por edhe individë konkretë.

Titulli: “Fshati me 13 sekrete

Autor: Nadine Debertolis

Shtëpia Botuese: “Mediaprint”

Çmimi: 900 lekë

Është një aventurë plot argëtim e mesazhe, ajo e zbulimit të ‘thesareve’ që ndërmarrin Tesa dhe Dimitri, në rikthimin e tyre për pushime në shtëpinë e dajë Ustashit. Pas “Shtëpisë me 36 çelësa”, Lorena Dedja e sjell të përkthyer me mjeshtëri librin magjik të Nadine Debertolis “Fshati me 13 sekrete”, ku rrëfimi i pasur, ‘sugjestionon’ imazhe gati filmike. Protagonistët të nxitur nga një legjendë mbi të kaluarën e fshatit, nisin hap pas hapi të zbardhin misteret, duke u përballur me të vërteta të pabesueshme.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?