‘Në Librari’/ Dëfrim Çeka sjell novelën e parë ‘Jetë të humbura’! Depërtimi i Kapuscinskit në shpirtin e Afrikës dhe ‘Dollia’ e Sherif Bundos

11 Qershor 2023, 07:55| Përditesimi: 11 Qershor 2023, 08:00

  • Share

Titulli: “Dollia”
Autor: Sherif Bundo
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1000 lekë

E konsideron si kumt të trashëgimisë kulturore shqiptare autori Sherif Bundo “Dollinë”. Në monografinë jo klasike dedikuar kësaj vlere, sipas tij autentike të trevave tona, ai sjell historikun, ritualet që e shoqërojnë, shtrirjen dhe shkaqet se pse “Dollia” shqiptare, njësoj si polifonia, duhet të njihet si trashëgimi e “UNESCO-s”.

Titulli: “Abanozi”
Autor: Ryszard Kapuściński
Shtëpia Botuese: “Papirus”
Çmimi: 1200 lekë

I ndarë në kapituj, libri “Abanozi-në hijen e diellit” i Ryszard Kapuscinskit, fton lexuesit në një rrugëtim, nga autori të jetuar, në realitetin afrikan të viteve ’50, ’60 e ’70.  Një dëshmi autentike me episode të jetës së Kapuscinskit si reporter, ku ka nga përditshmëria, aventurat e anekdotat tek situatat e rrezikshme të sulmeve të luftëtarëve, mungesës së ujit në shkretëtirë, apo sëmundjeve si malaria me të cilat ai vetë u përball. Ngjarjet në librin e sjellë në shqip nga përkthyesi Astrit Beqiraj, mbërrijnë deri në Shqipërinë komuniste.

Titulli: “Jetë të humbura”
Autor: Dëfrim Çeka
Shtëpia Botuese: “Vision Priting”
Çmimi: 800 lekë

Dëfrim Çeka debuton me librin e tij të parë. Shoqëruar me përjetimet personale të autorit dhe mbi histori për të të njohura, “Jetë të humbura” është më shumë se një novelë. Ç ‘ndodh me jetën e një jetimi në Aleda. Nga keqtrajtimet në jetimore tek përballja me jetën pa asnjë mbështetje, ëndrrat e përsiatjet e protagonistit Val në dyshemenë e ftohtë e me stomakun bosh...  A do ta tjetërsojë realiteti i ashpër personazhin?! Një libër rrëngjethës, përmes të cilit, lexuesi njihet me indiferencën vrastare të shoqërisë, por edhe pastërtinë e tragjizmin e  një  dashurie e sinqertë. Në këtë rrëfim në vetë të parë, historia personale e Valit, zbulohet gradualisht, bashkë me misterin e personazheve që e shoqërojnë, duke e kapur lexuesin, por edhe protagonistin në befasi...

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?