9 mijë vargje nga këshilltari besnik i Ali Pashës! Raimonda Belli me ‘Një çudi në Zoo-park’! Gjimnazistja Haris Gjerasi debuton si autore! Në shqip 'Karremi i Putinit'!

31 Mars, 09:24| Përditesimi: 31 Mars, 10:15

  • Share

Titulli: “Një çudi në Zoo-Park”
Autore: Raimonda Belli Gjençaj
Shtëpia Botuese: “Dituria”
Çmimi: 1000 lekë    

30 vjet pasi e shkroi Raimonda Belli, boton në shqip, anglisht e italisht, përrallën e saj në vargje “Një çudi në Zoo-park”. Një fabul që mesazhet e vyera për vogëlushët deri në 10 vjeç i jep përmes një ngjarje argëtuese, gjuhe të pasur e rrëfimi të rrjedhshëm, si dhe ilustrimeve ‘filmike’ të artistit Endri Beqo

Titulli: “ALIPASHAIDA – kronikë e një lindje të përgjakur”
Përgatiti: Irakli Koçollari
Shtëpia Botuese: “Onufri”
Çmimi: 3000 lekë

Dritëro Agolli e pat quajtur akt patriotik punën e studiuesit Irakli Koçollari, për të sjellë nga greqishtja në shqip, poemën që delvinioti Haxhi Shehreti shkruajti për Ali Pashë Tepelenën. Me “Alipashaidën” ai arrin ti sjellë lexuesit shqiptar 9 mijë nga 10 mijë vargje, duke e plotësuar poemën me pjesë të panjohura për lexuesin vendas. Ngjarje e vende që rrëfehen në vargje nga këshilltari më besnik i Ali Pashës, të sjella, siç thotë studiuesi Shaban Sinani, nga një njohës par excellence i traditave të arvanitësve dhe lidhjeve kulturore shqiptaro-greke.

Titulli: “Nën qiejt e mendimeve”
Autore: Haris Gjerasi
Shtëpia Botuese: “Muza”
Çmimi: 600 lekë


E para poezi që Haris Gjerasi shkruan është një dedikim për nënën, që e interpreton para shkollës, duke bindur mësues e nxënës për talentin e saj. Prej shkollës fillore pasioni për poezinë u ushqye nga dashuria për leximin, por edhe ndjeshmëria jo e zakontë me të cilën ajo përjeton situatat që e rrethojnë.  Kjo reflektohet edhe në vëllimin e parë të saj të botuar “Nën qiejt e mendimeve, që i jep emrin autore, ndërsa është në vitin e fundit të gjimnazit. Në të i shkruan ndër të tjera poezisë si ‘strehëz’ lumturie, dashurisë, motrës, dijes e  aspiratës së saj për t’u bërë mjeke.

Titulli: “Karremi i Putinit”
Autore: Jessikka Aro
Shtëpia Botuese: “Muza”
Çmimi: 1200 lekë

E nxitur nga një artikull ndërkombëtar, gazetarja finlandeze Jessika Aro, nis të hetojë e të shkruajë mbi kontrollin informativ të Presidentit rus Vladimir Putin. Kaq mjaftoi që ajo të kthehej në shënjestrën e një sulmi të frikshëm propagandistik, ku lajmet ‘fake’ që publikoheshin për të e paraqisnin si mashtruese, kriminele e të sëmurë mendore. Përdorues anonimë të rrjeteve sociale nisën ta diskriminonin, kërcënonin, e madje ishin të shumtë ata që i sugjeronin vetëvrasjen. Ngjarjen e rrëfen në librin “Karremi i Putinit” ku plotëson misionin e saj, demaskimin e kontrollit informativ të Vladimir Putin                                                                                                                                                                 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?