Në Librari/ 4 titujt e rinj për këtë fundjavë: ‘Vocërrakja’, ‘Vallëzim me hënën’, ‘Shqipëria e vjetër motorike’ dhe ‘Shitësja e ëmbëlsirave’

21 Prill, 13:16| Përditesimi: 21 Prill, 20:27

  • Share

Rubrika “Në Librari” përgatitur nga gazetarja Anila Dedaj vjen këtë fundjavë me katër tituj të rinj.

Titulli: “Vocërrakja

Autore: Silvia Montemurro

Shtëpia Botuese: “Muza”

Çmimi: 1000 lekë

Romani “Voçërrakja” i Silvia Montemurros të shpie në Milanon e fillimviteve ‘900. E rritur në një familje, që në vend të saj do të kishte dashur një djalë, Nora është një nga vajzat e shumta që rritet në një shoqëri të vrazhdë, të shfrytëzuara e të papaguara. Në grevën e vitit 1902 ku marin pjesë qindra punëtore fëmijë e të reja, është edhe ajo, 16-vjeçarja e revoltuar, nga padrejtësitë deri në krime çnjerëzore. Imazhi i saj prekës, i jetësuar nga Emilio Longoni, frymëzon edhe këtë roman.

Titulli: “Vallëzim me Hënën

Autor: Namik Dokle

Shtëpia Botuese: “Toena”

Çmimi: 1300 lekë

52 legjenda të Gorës, krahinës që bashkon tri shtete, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Namik Dokle i sjell në librin  “Vallëzim me Hënën”. Për historinë enigmatike të krijimit të Gorës që gjendet në dokumente me këtë emër prej 1348-ës, gjuhën e rrallë të ruajtur brez pas brezi ndonëse e pashkruar në libra, ritet, besimet fetare, magjistricat a engjëjt, Dokle sjell legjendet e pashkruara asnjëherë më parë.

Titulli: “Shqipëria e vjetër motorike

Autor: Bajram Peçi

Shtëpia Botuese: “Mediaprint”

Çmimi: 5000 lekë

Imazhe dhe histori, Bajram Peçi, përmbledh në një album “Shqipërinë e vjetër motorike” frymëzuar nga koleksioni i “Muzeut Ron”. Gjurmët e mjeteve të para të transportit në fund vitet ‘800,  krijimi i rrugëve gjatë Luftës së Parë Botërore, raportimet e kronikave për 375 automobila në vitin 1929 dhe 6000 të tilla në fund të viteve ’50, deri edhe fabrikat e prodhimit të biçikletave, kaskave e uniformave. Katalogu i Peçit vjen si dëshmi e mjeteve motorike që u përdorën në vendin tonë.

Titulli: “Shitësja e ëmbëlsirave

Autore: Suela Armata

Shtëpia Botuese: “Toena”

Çmimi: 1600 lekë

Frymëzimin për romanin “Shitësja e ëmbëlsirave” Suela Armata e merr nga një histori e vërtetë, e më pas e ngjyros me penelin delikat të letërsisë artistike. Personazhi i saj, është një vajzë e ëmbël, jeta e së cilës është shënjuar nga humbja e prindërve, e si pasojë mbi supe i bien shumë përgjegjësi, që duhet t’i përballojë dorë për dore me vëllain e saj. Plot tallaze është edhe jeta e saj dashurore, ku Suela, që gjithashtu si personazhi është një shitëse ëmbëlsirash, trajton lidhjet në rrethana të pazakonta, dhunën, dhe sfidat e një gruaje për të vijuar rrugëtimin jetësor në një shoqëri si e jona.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?