Anëtarët e Gjykatës së Lartë

Kronikë

Në Gjykatën e Lartë fillojnë detyrën 2 anëtarët e rinj, Sadushi: Ndihmon krijimin e kuorumit për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses

10 Shtator 2021, 14:35| Përditesimi: 10 Shtator 2021, 14:54

  • Share

Artur Kalaja dhe Asim Vokshi kanë nisur sot detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Përmes një ceremonie të posaçme ata u bënë kështu anëtarët e 8 dhe të 9 të Gjykatës së Lartë.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi shprehu kënaqësinë për emërimin e dy gjyqtarëve të rinj në këtë gjykate, duke theksuar se emërimi i tyre do të ndihmojë jo vetëm në gjykimin e më shumë çështjeve gjyqësore, në të tria fushat (civile, penale dhe administrative) por edhe në krijimin e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai e vlerësoi angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë gjyqtarët më të mirë në Gjykatën e Lartë, proces i cili kërkon natyrshëm kohë dhe profesionalizëm. Z. Sadushi i uroi suksese gjyqtarëve të rinj në punën e tyre për dhënien e drejtësisë.

Nga ana e saj Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Naureda Llagami u shpreh se drejtësia ndryshe vendoset në bazë të disa standardeve të cilave u duhet qëndruar deri në fund. Gjyqësori duhet të ndryshojë imazhin e tij brenda komunitetit dhe sistemit në përgjithësi, për të sjellë më pas promovimin e këtij imazhi tek politika, qeveria, biznesi, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas Zj.Llagami, ka ende rrugë përpara në mënyrë që këto standarde të konsolidohen, pasi më parë një gjyqtar i Gjykatës së Lartë duhet të lobontë në politikë për tu promovuar, sot kemi diferencën e një standardi krejt të ri, të një drejtësie të re.

Në ceremoninë e sotme merrnin pjesë edhe anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj, drejtuesja e EURALIUS, Agnes Bernhard dhe z. Ben Rockëell, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, East West Management Institute.

Gjykata e Lartë u bë me 9 (nëntë) gjyqtarë, nga 19 gjithsej që duhet të ketë, me emërimin e Asim Vokshit.  4 ditë më parë presidenti Meta firmosi dekretin për emërimin e zotit Artur Kalaja, si anëtari  i tetë në Gjykatën së Lartë. Për shkak të mosfunksionimit për disa vite, Gjykata e Lartë ka pësuar një ngërç me dosjet e shumta që presin për t’u shqyrtuar. Pasi Gjykata e lartë është bërë me 9  anëtarë ka reaguar edhe ambasadorja Yuri Kim e cila thotë se duhet të ecim hap pas hapi në mënyrë që reforma në Drejtësi të japë më shumë rezultate.

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?