Salla e mbledhjeve në Bunk’Art1

Në Bunk’Art1 vjen teatri imersiv: Enver Hoxha do t’ju flasë njerëzve për gabimet e tij

28 Nëntor 2018, 15:24| Përditesimi: 28 Nëntor 2018, 17:20

  • Share

Për herë të parë në Shqipëri historia tregohet përmes teatrit imersiv, në të cilin aktorë e spektatorë integrohen në një skenar autentik dhe përjetojnë sëbashku pjesë të historisë së vërtetë. Nisma me karakter eksperimental do të realizohet në mjediset e Bunk’Art 1 në dy javët e para të dhjetorit, por objektivi i organizatorëve është ta përsëritë edhe vitin e ardhshëm. “Kemi caktuar gjashtë figura tipike të historisë komuniste – shpjegojnë kuratorët – dhe do t’u takojë atyre t’u tregojnë studentëve dhe vizitorëve pjesën e tyre të historisë, natyrisht parë kjo me sytë e ditëve tona”.

Figurat e përzgjedhura janë një partizan, një ushtar italian, një ushtar gjerman, një mësuese shkolle dhe një sigurims. Figura e gjashtë është ajo e diktatorit Enver Hoxha, i cili, nëpërmjet një mizanskene unike dhe origjinale, do të flasë për rolin e tij dhe, mbi të gjitha, për gabimet e tij. Tekstet janë shkruar nga gazetarja Admirina Peçi dhe organizimi i përgjithshëm realizohet nga Ergys Gezda, drejtor ekzekutiv i OJF-së “Qendra Ura”, e cila administron Bunk’Art 1.

Ideja është e kuratorit të përgjithshëm të Bunk’Art, Carlo Bollino. Vizitorët do të kenë mundësinë të takojnë aktorët në mjediset reale të bunkerit, ndërsa historitë e tyre do të tregohen në sallën e Kuvendit, gjithnjë në brendësi të Bunk’Art 1. Gjatë paraqitjes do të transmetohet një dokumentar mbi historinë e bunkerizimit të Shqipërisë, një kapitull i historisë pak i njohur, sidomos për brezat e rinj. Pas shfaqjes së tij, do të vijojë një debat, gjatë të cilit studentë e vizitorë do të mund t’u drejtojnë pyetjet e tyre të ftuarve të ditës, por edhe të tregojnë emocionet që u ka ngjallur ai mjedis apo përvojat e tyre. 

Imersioni si metodë spektakli ka lindur gjatë periudhave të gjenocidit në Kamboxhia (nga fundi i viteve ’70). Nuk kishte dokumente ose prova për atë çka kishte ndodhur, pasi të gjitha filmimet u shkatërruan. Kështu që njerëzit vendosën t’i rikonstruktonin ngjarjet në rrugë artistike. Kërkuan të rikrijonin ngjarjet dhe t’i përjetonin ato edhe një herë. Teatri imersiv, shumë popullor në Londër, e bën aktiv publikun dhe i ofron lirinë të ndjekë intuitat e tij në ndërtimin e historisë që i rrëfehet, pa dallim mes skenës dhe platesë. Në teatrin imersiv hapësira është një e vetme dhe aktorë e spektatorë lëvizin sëbashku, të lidhur nga ndërveprimi i pashmangshëm që ekziston mes trupave të cilët bashkëjetojnë në një mjedis, qoftë ky i ndërgjegjshëm apo i pandërgjegjshëm. Është hera e parë që në Shqipëri eksperimentohet teatri imersiv, veçanërisht për të treguar historinë e një periudhë të errët të vendit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?