Në 9 muaj investimet e huaja direkte arritën në 1.2 mld euro! Pasuritë e paluajtshme, sektori që po tërheq investitorët

12 Dhjetor 2023, 15:45| Përditesimi: 12 Dhjetor 2023, 17:16

  • Share

1.2 miliardë euro janë investuar nga të huajit në sektorët e ekonomisë së vendit prej muajit janar deri në fund të shtatorit. Në raport me 9-mujorin e vitit të kaluar investimet e huaja direkte janë rritur me rreth 216 milionë euro, pasi vjet gjatë kësaj periudhe ishin investuar 984 milionë euro.

Banka e Shqipërisë thotë se vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti investimet e huaja direkte kapën shifrën 404 milionë euro, me rritje rreth 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga kjo vlerë, injektimi i kapitalit të ri në ekonomi ishte 214 milionë euro, ndërkohë që pjesa tjetër ishte fitimi i ri-investuar u zgjerua me 3%, në nivelin 201 milionë euro.

Pasuritë e paluajtshme vijojnë të rrisin pozitat e tyre në tregun e investimeve, pasi edhe në këtë periudhë vëmendja e investitorëve të huaj është përqendruar pikërisht në këtë sektor.

Sipas Bankës qendrore gjatë këtij tremujori, investimet e huaja direkte janë përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve 15%, sektorin e energjetikes në masën 14%, si dhe ndërmjetësimit financiar me 10%.

Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se zonat bregdetare po tërheqin vëmendjen e të huajve. Sinjale këto që tregohen edhe nga raportet e Bankës për blerjet e banesave ku një pjesë e madhe blihen nga të huajit.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?