Në 2023 do të ndryshojë akciza për birrën dhe verën! Hiqen diferencimet në taksim, të ardhurat do të rriten

26 Shkurt 2022, 16:10| Përditesimi: 28 Shkurt 2022, 08:48

  • Share

Në vitin e ardhshëm pritet të ndryshojë taksimi i prodhuesve të birrës dhe verës. Ky propozim i bërë nga deputeti i PS Erion Braçe teksa diskutohej paketa fiskale e këtij viti, pritet të miratohet për vitin e ardhshëm.

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026 thuhet se shkallët e diferencuara të birrës dhe verës do të fillojnë të hiqen që nga ky vit. Dhe do të ketë një shkallë të vetme dhe më të lartë, nëpërmjet të cilës do të sigurohen edhe më shumë të ardhura.

Aktualisht akciza e birrës për prodhuesit e vegjël, të cilët prodhojnë më pak se 200 mijë hektolitër është 360 lekë për hektolitër, ndërsa ata që prodhojnë mbi këtë sasi akciza është 710 lekë hektolitër.

Propozimi i bërë në strategjinë e të ardhurave është që të mos ketë diferencime në taksimin e këtij produkti.

“Unifikimi i nivelit të akcizës për produktet verë dhe birrë nëpërmjet eliminimit të diferencës në nivelin e akcizës ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe prodhuesve të mëdhenj”, thuhet në strategji.

Po ashtu vlerësohet se akciza e verës për prodhuesit e vegjël është rreth një e treta e normës së rregullt të akcizës që zbatohet për prodhuesit e mëdhenj. Edhe në këtë pikë synohet heqja e diferencimeve.

Nga ana tjetër do të rishikohet sasia e pijeve alkoolike objekt akcize që trajtohen si vet konsum nga prodhuesit dhe nuk ngarkohen me akcizë, kjo kryesisht për rakinë dhe verën prodhim vendi.

Nëpërmjet kësaj strategjie të ardhurash do të hiqen një sërë favorizimesh të bëra në ligjin e TVSH-së, tatimit mbi të ardhurat, akcizën dhe tatimit të pagave. Me këto ndryshime synohet rritja e të ardhurave tatimore me 2.55% brenda periudhës 2022-2026.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?