Në 11 muaj të 2020-ës, në vend erdhën 3.6 mln të huaj më pak, humbja financiare rreth 1 mld euro! Mbizotëroi turizmi patriotik

23 Dhjetor 2020, 17:34| Përditesimi: 23 Dhjetor 2020, 17:44

  • Share

Shqipërisë këtë vit i munguan 3.6 milionë turistë të huaj, e cila përkthehet në rreth 1 miliard euro humbje krahasuar me vitin 2019 ku u mblodhën nga ky sektor 1.8 miliardë euro.

Për shkak të mbylljes së kufijve dhe masave të ashpra nga shtetet për të mos lejuar përhapjen e pandemisë COVID-19, rënia e hyrjeve turistike ishte e pritshme, por  nëekonominë e vendit tonë ndikon ndjeshëm për shkak të varësisë së lartë që kemi ndaj këtij sektori.

Instituti i statistikave raporton se në 11 muaj në vend hynë vetëm 2.4 milionë shtetas të huaj me një rënie prej 59.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur në vend kishin hyrë 6.1 milionë të huaj.

Mbi 50% e të huajve që hynë në territorin tonë janë shtetas nga Kosova.Konkretisht në Shqipëri nga Janari në Nëntor erdhën 1 milionë e 293 shtetas nga Kosova me një rënie prej 40.4%, që është edhe rënia më e lehtë krahasuar me turistët e shteteve të tjera. Këto dhëna tregojnë se viti 2020 mund të konsiderohet plotësisht si turizmi patriotik.

Rënia më e madhe është regjistruar me Spanjën, pasi në vend hynë 90.7% shtetas më pak, duke u ndjekur nga Polonia me tkurrje 81.7% dhe nga SHBA me -80.4%.

E teksa të gjitha hyrjet për turizëm, qëllime fetare apo kalimtar transit janë në rënie mbi 60%, vetëm shtetasit e huaj që kanë ardhur për biznes janë në rritje. Sipas raportit të INSTAT krahasuar me 11 mujorin e 2019, këtë vit personat që kanë ardhur për biznes në Shqipëri janë në rritje prej 13.8%, kjo për shkak se edhe në pandemi lejohen lëvizjet për arsye biznesi.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?