Ndryshimi i Kushtetutës,Report Tv
zbardh qëndrimin e grupit të LSI

15 Janar 2018, 16:00| Përditesimi:

  • Share
Report Tv zbardh qëndrimin e grupit të LSI. Ashtu si PD, edhe LSI janë në të njëjtën linjën përsa i përket kërkesës së opozitës për ndryshimet Kushtetuese. Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të përbëhet nga Naço, Bylykbashi, Manjani dhe Gazmend Bardhi, ish-ministër teknik.

Kryetari i grupit të LSI, Vasili ka deklaruar në mbledhjen se ky hap është jetik për integrimin Europian. “Nisma ligjore është e përbashkët për prokurorin e përkohshëm. I gjithë grupi i LSI mbështeti propozimin e grupit të përbashkët të punës. Kthimi i kushtetshmërisë hap kundër shkatërrimit të reformës në drejtësi nga mazhoranca” mësohet se ka thënë ai.

Kërkesa drejtuar Ruçit është firmosur nga Vasili, Spaho dhe Mediu, që janë kryetar të grupeve të partive opozitare.

PD dhe LSI mblodhën sot firmat për të ndryshuar Kushtetutën, ku sipas tyre, synohet t’i jepet fund antikushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeprokurorit. Ndërkohë, pas mbledhjes pritet që kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, të dalë në një konferencë për media.

Deklarata për mediat e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili
Grupi Parlamentar i LSI-së sapo përfundoi mbledhjen lidhur me këtë fillim sesioni. Grupi Parlamentar mori në shqyrtim nismën e përbashkët të opozitës, të hartuar nga një grup po i përbashkët, i përbërë nga zotërinjtë Naço, Bylykbashi, Manjani dhe Bardhi, përkatësisht të LSI-së dhe Partisë Demokratike, lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore që ne përgatitëm për të rifutur në hullitë kushtetuese procesin e kompromentuar tepër rëndë të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përkohshëm.

Grupi mbështeti kërkesën e përbashkët për anulimin e vendimeve të Kuvendit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm më 18 dhjetor të vitit që lamë pas, si një akt i rëndë, një atentat i vërtetë ndaj procesit të Reformës në Drejtësi, një akt i cili krijon një mosbesim të tërë të të gjithë institucionet e drejtësisë, duke filluar nga organi i akuzës.

Pasi një proces në thyerje të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, pa shumicën e domosdoshme dhe pa kryer procesin jetik të Vettingut, i cili ka qenë dhe zemra e reformës, pasi ne kemi një Kryeprokuror të përkohshëm të zgjedhur të Përgjithshëm të zgjedhur pa Vetting, dhe këto të gjitha së bashku përbëjnë një atentat të vërtetë ndaj Reformës në Drejtësi, në mënyrë të veçantë në një institucion kaq delikat siç është ai i akuzës.

Ndaj, opozita me një frymë të lartë përgjegjshmërie, me dëshirën pozitive dhe konstruktive për ta mbrojtur Reformën në Drejtësi, për t’i dhënë asaj atë udhëtim normal në ligjshmëri dhe kushtetueshmëri që e bën atë të ndryshme nga drejtësia që lamë pas, dhe për të mos ripërsëritur dhe ricikluar një drejtësi pa rregulla, antiligjore, të pabarabartë për qytetarët, ofrojmë që zgjidhja të jetë veçse kushtetuese, pra ofrojmë edhe vullnetin tonë, edhe propozimin përkatës kushtetues dhe ligjor, në mënyrë që të zhvillojmë një proces të ri, të zgjedhim një Kryeprokuror të Përkohshëm me integritet, i cili të jetë i paanshëm. Të mos jetë as produkt i opozitës dhe as i mazhorancës, por, vetëm i përmbushjes së standardeve. Krijojmë premisat për një Vetting të përshpejtuar, pra që Kryeprokurori që do të zgjidhet, të jetë patjetër i vetuar, pra të ketë kryer Vettingun. E në këtë mënyrë, ai me integritetin e tij, të vazhdojë punën e përditshme.

Dhe njëkohësisht i thuhet ‘ndal’ rrëmbimit dhe kapjes së drejtësisë nga Kryeministri Rama, i cili nuk e përmban dot vullnetin e shfrenuar për të kapur një drejtësi, sepse drejtësia e paanshme e tremb atë dhe aferat e tij, të ish ministrave të tij, apo të ministrave në detyrë, apo edhe plot afera të tjera të rënda, duke filluar edhe nga procesi i drejtpërdrejtë në të cilin ai është i paditur si një shkatërrues i rendit publik dhe zgjedhjeve në Shqipëri për shkak të thirrjes që ai i ka bërë publikisht Policisë që ajo të lërë punët nën drejtim të sigurisë dhe të rendit, por të merret me votat e Partisë Socialiste.

Pra përkundrejt kësaj, vullneti i opozitës është konstruktiv, mbrojtës i Reformës në Drejtësi dhe mbrojtës i Kushtetutshmërisë dhe ligjit në këtë vend.

Sigurisht për këtë nismë ne jemi të hapur për diskutim dhe sigurisht dhe për t’u ulur në tavolinë për të biseduar për modalitetet e saj. Ku sigurisht z. Basha, znj. Kryemadhi dhe të tjerë pjesëtarë të opozitës janë të gatshëm të diskutojnë për nismën përkatëse në mënyrë që të kthejmë sa më parë kushtetutshmërinë e procesit të kompromentuar rëndë të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përkohshëm.

Njëkohësisht duhet të marrim patjetër sa më parë anulimin sa më parë të një procesi jo vetëm antikushtetues, i cili u bë në mënyrë flagrante, në rrëmbim të votave, në fyerje të rregullave parlamentare dhe në dhunimin që Garda i bëri në mënyrë të pashembullt Kuvendit të Shqipërisë, të paktën për ta shlyer këtë njollë të zezë për Kuvendin, për drejtuesin e Kuvendit dhe drejtuesit e mazhorancës. Kjo është një zgjidhje në të mirë të vendit dhe mbi të gjitha kjo është një përgjigje shumë e fortë që ne i japim ecurisë pozitive të integrimit evropian. Integrimi evropian, i cili sipas një strategjie të mirëmenduar nga Rama, po sabotohet, pasi dihet publikisht që ai nuk e do integrimin evropian. Është orientuar nga realitete të tjera, jo në ato euroatlantike. dhe sabotimi i reformës në drejtësi do ishte mjeti më i mirë për të arritur strategjinë e integrimit të pamundur në mënyrë që pastaj të legjitimoheshin të gjitha këto hapje drejt ambientesh të errëta me dritëhije etj, të cilat nuk janë aspirata e Shqipërisë.

Opozita e bashkuar është e tëra shumë e motivuar për t’i dhënë zgjidhje ligjore procesit dhe për të afruar të gjithë konstruktivitetin, duke ofruar dhe mekanizmin zhbllokues për këtë situatë, pra për të mos pasur një situatë pa rrugëzgjidhje, duke treguar në këtë mënyrë edhe luajalitet, por edhe mendjehapje duke vënë mbi të gjitha interesat e kombit mbi interesat e çdo force politike.

d.c./shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?