Ndryshimi i kompetencave/ Ja si ‘21 Janari’ mund të kalojë në duart e SPAK-ut

22 Janar 2019, 07:14| Përditesimi: 22 Janar 2019, 11:34

  • Share

Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat Speciale janë mundësia e fundit dhe e vetme për të ndëshkuar përgjegjësit e veshur në atë kohë me pushtet, për vrasjen e 4 protestuesve me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011, plagosjen e 6 të vjetërve, zhdukjen e pamjeve filmike, manipulimin e provave të krimit, refuzimin për të zbatuar urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës etj. Të gjithë këtë panoramë kriminale me sfond shtetëror, drejtësia aktuale shqiptare i ka vënë ka pakt, me vetëm një akuzë, atë të ‘vrasjes nga pakujdesia’, për të cilën u dënuar me 1 vit burg ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe 3 vite burg gardisti Agim Llupo.

Me ngritjen e organeve të SPAK-ut gjatë javëve në vijim, dosja e 21 Janarit mund të kalojë në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, vetëm nëse objekt hetimi do të jenë ish-kryeministri Sali dhe ish-ministri Lulzim Basha. SPAK-u nuk mund të hetojë vrasjet e 21 Janarit, pa qenë i përfshirë një funksionar apo ish-funksionar i lartë, pasi veprat penale të vrasjes i janë hequr nga kompetenca SPAK-ut, me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në mars të vitit 2017.

Kompetencat
Kushtetuta e ndryshuar në 2016, në nenin 135 të saj, parashikon që SPAK-u heton çdo akuzë penale ndaj një grupi funksionarësh dhe ish-funksionarësh të lartë, përfshi këtu edhe ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm në 21 Janar 2011, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët akuzohen nga shumica aktuale në pushtet si përgjegjësit për vrasjet Janarin. Ndërkaq, pika 1 e nenit 8 të ligjit për SPAK-un, parashikon që kompetenca lëndore të organeve të SPAK-ut parashikon në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penal. Neni 75/a parashikon që në kompetencë të organeve të reja janë krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e të Kodit Penal. Në nenet në fjalë nuk përfshihen veprat penale të konsumuara në 21 Janar.

Loja me kompetencat
Kur është miratuar ligji për SPAK-un në vitin 2016, veprat penale në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, që do të kalonin në kompetencë të SPAK-ut, ishin shumë të zgjeruara, ku përfshinin edhe ngjarjet e 21 Janarit, pra vrasjet në bulevard. Konkretisht, ishin parashikuar në kompetencë të SPAK-ut veprat penale si vrasja me paramendim (neni 78), vrasja në rrethana të tjera cilësuese (neni 79). Por, neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale ndryshoi në 30 mars të vitit, duke i reduktuar veprat penale në kompetencë të SPAK-ut. Në nenin e ndryshuar, në kompetencë të SPAK-ut janë lënë vetëm vepra penale të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë. Pra, e vetmja mundësi që SPAK-ut të marrë në dorë dosjen e 21 Janarit, është marrja nën hetim të ish-funksionarëve të lartë, të parashikuar në nenin 135 pika 2 të Kushtetutës, për këtë ngjarje.

Gjykata e Strasburgut
Më 5 dhjetor 2012, familjarët e viktimave të 21 Janarit iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me një kërkesë për konstatimin e shkeljes së procedurave të gjykimit të dosjes së 21 Janarit nga gjykatat shqiptare. Kërkesa u nënshkrua nga Ana Veizi, Klajdi Veizi, Çaush Veizi dhe Zabit Deda. Ana dhe Klajdi Veizi, bijtë e Ziver Veizit, i vrarë në 21 Janar 2011, kërkuan që të ishin pjesë e procesit gjyqësor për 21 Janarin, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata e Tiranës. Ata kërkuan akuzuan gjithashtu gjykatat shqiptare për gjykim të njëanshëm. Gjykata konstatoi shkeljen e të drejtave në gjykim, vendosi dëmshpërblimin e familjarëve dhe pranoi deklaratën e qeverisë për të rihapur çështjen. “Gjithashtu, Qeveria ndërmerr hapa të rihapë procedimet penale vendëse në këtë çështje për të përfshirë të afërmit e viktimës në këto procedime”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

 

Neni 75/a i KPP në fuqi, i ndryshuar në 30 janar 2017

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e;
b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
c) akuzat penale kundër Presidentit te Republikës, Kryetarit te Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkime, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;
ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.

Neni 75/a, para ndryshimit në janar 2017
Kompetencat e gjykatës për krime të rënda
Gjykata e krimeve të rënda gjykon krimet e parashikuara nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, shkronja “ç”, 79/a, 79/b, 79/c, 109, 109/b, 110/a, 111, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 245, 260, 265/a, 265/b, 265/c, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 287/a, 319, 319/ç, 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, duke përfshirë edhe rastet kur ato janë kryer nga të miturit

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • urgjent protesta se do filloi pune SPAK: 22/01/2019 12:40

    Nuk ka rendesi nese Saliu denohet per vrasje apo per fshehje te provave te krimit, per vjedhje, per korrupsion, apo per shperdorim detyre. E rendesishme eshte qe te bjeri miti pa paprekshmerise . Te denohet si fajtor edhe sikur mos te bej asnje dite burg per shkak te moshes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?