Kryefjala e ndryshimeve në 8 ligjet bazë të reformës në drejtësi është përshpejtimi i shqyrtimit të dosjeve në gjykatat e apelit, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Për herë të parë, parashikohet që Gjykatat e Apelit do të gjykojnë jo me tre, por një gjyqtar ekstradimet, kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake, ankesat ndaj vendimit të prokurorëve për pushimin e çështjeve, kërkesa e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet, kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesën e prokurorit për miratimin e urdhrit penal, kërkesat që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale, kërkesat për rivendosje në afat si dhe çdo kërkesë tjetër të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale.
Për këtë qëllim është parashikuar ndryshimi i pikës 4 të nenit 14 të Kodit të Procedurës Penale, duke ulur nga tre në një gjyqtar trupin gjykues për shqyrtimin e këtyre dosjeve. Ky ndryshim pritet të lehtësojë dhe përshpejtojë punën në Gjykatat e Apelit, duke ulur edhe ngarkesën e dosjeve. Në relacionin shpjegues të projektligjit të propozuar nga deputeti Ulsi Manja thuhet se veprimi i ligjit të Vetingut ka krijuar vakanca në sistem, duke rritur ngarkesën e punës së gjykatave, ndaj është menduar shqyrtimi i disa çështjeve me një gjyqtar në Apel.
E njëjta logjikë është ndjekur edhe në Gjykatën e Lartë ku disa çështjet që aktualisht shqyrtohen me trupa gjykuese me 5 gjyqtarë, do të gjykohen me nga tre gjyqtarë. Gjithashtu, deri në fund të vitit 2023, është ulur kuorumi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e dosjeve në seancë plenare nga 6 gjyqtarë që është numri minimal aktualisht, në 5 anëtarë. Kjo ndërhyrje në reformë pritet të sjellë një efekt pozitiv zinxhir në të gjitha shkallët e gjyqësorit, në përshpejtimin e dhënies së drejtësisë.
Propozimi për gjykimin e dosjesve me një gjyqtar në Apel