Ndryshimet në buxhet/ Më shumë fonde për rrugët dhe ‘e-qeverisjen’! 1.9 mld lekë plus për programe zhvillimi, ulje për Shëndetësinë, Financat dhe Mbrojtja

10 Gusht 2022, 15:21| Përditesimi: 10 Gusht 2022, 16:20

  • Share

Qeveria ka parashikuar të jetë konservatore në shpenzime për periudhën e mbetur të vitit, prandaj ka ulur tavanet e deficitit buxhetor me 17 miliardë lekë në rishikimin e fundit që i bëri buxhetit. Por jo vetëm ndryshimi i parametrave të të ardhurave, shpenzimeve e deficitit, por qeveria ka bërë edhe rishpërndarje të buxhetit për shumë institucione shtetërore.

Shkurtimi më i madh i buxhetit i është bërë Ministrisë së Shëndetësisë. Nga 76.7 miliardë lekë që ishte totali i fondeve që kishte në dispozicion, me rishikimin e fundit i shkurtohen 2 miliardë lekë. Në këtë institucion janë ulur fondet për kujdesin shëndetësor parësor e dytësor si dhe për shërbimin e shëndetit publik.

Shkak për këtë ulje buxheti është bërë përmirësimi i situatës epidemiologjike me virusin COVID-19 në vend. Po ashtu është ulur me 992 milionë lekë buxheti i Ministrisë së Financave, pasi është reduktuar deficiti me skemën e pensioneve. Me 1.6 miliardë lekë janë ulur fondet dhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe INSTAT.

Nga ana tjetër në këtë rishikim buxheti i është kushtuar më shumë vëmendje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilës i është shtuar buxheti me 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që janë rishpërndarë paratë për programet e këtij institucioni.

Konkretisht merr 1.4 miliardë lekë më shumë transporti rrugor, dhe buxheti në total i këtij zëri arrin në vlerën e 24.1 miliardë lekë. Janë shtuar 111 milionë lekë tek zëri i transportit hekurudhor. Pas reformës së Ujësjellës-Kanalizime ku shumë shoqëri u shkrinë, dhe administrimi i tyre i kalojë Ministrisë së Infrastrukturës, është rritur me 1,195 miliardë lekë buxheti për zërin e ujësjellës kanalizime, ndërsa ulen me 300 milionë lekë fondet për trajtimin e mbetjeve urbane.

Po ashtu në rishikimin e fundit të buxhetit janë shtuar fondet në dispozicion të Ministrisë së Arsimit me 1,2 miliardë lekë. Ku 1 miliardë lekë janë shtuar në zërin “Arsim bazë”, ku përfshihet edhe parashkollori, dhe shtesa tjetër është bërë tek buxheti i arsimit të mesëm.

Fondit Shqiptar të Zhvillimit i shtohen 1.9 miliardë lekë, për programet e zhvillimit, dhe i jepen 2.2 miliardë lekë e-Qeverisjes. Siç duket qeveria kërkon që të forcojnë sigurinë online pas sulmit kibernetik në faqet qeveritare që e detyroi autoritetet që të pamundësinë shërbimet për disa ditë me radhë. Rama ka paralajmëruar bashkëpunim me ekspertët e Microsoft dhe masa më të forta mbrojtjeje.  Ndërsa Ministrisë së Drejtësisë i jepen 147 milionë lekë më shumë, me fokus sistemin e burgjeve.

BUXHETI I MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS (mijë lekë)

Ishte                  42,988,120 lekë

Bëhet                45,372,120 lekë

Diferenca         +2,384,000 lekë

 

BUXHETI I MINISTRISË SË FINANCAVE (mijë lekë)

Ishte                  63,848,717 lekë

Bëhet                62,856,717 lekë

Diferenca            -992,000 lekë

 

BUXHETI I MINISTRISË SË ARSIMIT (mijë lekë)

Ishte             43,779,522 lekë

Bëhet           44,979,522 lekë

Diferenca    +1,200,000 lekë

 

BUXHETI PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË (mijë lekë)

Ishte             76,722,191 lekë

Bëhet           74,714,191 lekë

Diferenca     -2,008,000 lekë

 

BUXHETI PËR MINISTRINË E DREJTËSISË (mijë lekë)

Ishte               10,876,572 lekë

Bëhet             11,023,572 lekë

Diferenca         +147,000 lekë

 

BUXHETI PËR MINISTRINË E MBROJTJES(mijë lekë)

Ishte                 30,791,227 lekë

Bëhet               29,891,227 lekë

Diferenca            -900,000 lekë

 

BUXHETI PËR INSTAT (mijë lekë)

Ishte                1,888,141 lekë

Bëhet              1,102,141 lekë

Diferenca         -786,000 lekë

 

BUXHETI I FSHZH (mijë lekë)

Ishte                 15,451,924 lekë

Bëhet               17,351,924 lekë

Diferenca         +1,900,000 lekë

 

INSTITUCIONET QEVERITARE

Ishte                    15,451,924 lekë

Bëhet                  10,659,637 lekë

Diferenca           +2,159,800 lekë

 

BUXHETI PËR E-QEVERISJE

Ishte                    5,946,641

Bëhet                   8,147,641

Diferenca          +2,201,000

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?