Miratimi i vendimit me 80 vota pro, një ditë më parë në Parlamentin e Maqedonisë, i propozimit të qeverisë maqedonase për ndryshime kushtetuese, është pritur me entuziazëm nga ndërkombëtarët pasi i hap rrugën ndryshimit të emrit të Maqedonisë, në Maqedoninë e Veriut.
Nga BE vijnë përgëzime për shtetin e Maqedonisë nga ana e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk i cili e konsideron një hap të rëndësishmë votimin e Parlamentit të Maqedonisë, duke e uruar Shkupin zyrtar për këtë vendim.
Një votë, një hap i madh drejt afrimit të marrjes së vendit që ju takon në komunitetit tonë transatlantik.
Donald Tusk
Ndërkohë edhe shefja për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian Federica Mogherini e cilësoi votën e parlamentit maqedonas si "një hap shumë të rëndësishëm" për arritjen e një zgjidhje përfundimtare në marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Me anë të një deklaratë në Bruksel, thuhet se tani pritet që të vazhdohen pa vonesë procedurat e punimeve për ndryshimet kushtetuese.
Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministrat Zaev dhe Tsipras në qershor. Duhej guxim politik, udhëheqje dhe përgjegjësi për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të vjetra në rajon. Ky vendim u konfirmua me votim sot.
Federica Mogherini, shefja për politikën e Jashtme
Ndërsa Johannes Hahn, eurokomisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, në rrjetin social Twitter e ka cilësuar vendimin e marrë nga parlamenti maqedonas "një ditë të jashtëzakonshme për demokracinë në Shkup”, e një vendi që aderon në rrugëtimin drejt BE-së.
I përgëzoj të gjithë ata që vendosën të ecin përgjatë rrugës së BE- së. Pres që zgjedhja e lirë të respektohet plotësisht.
Johannes Hahn, eurokomisioneri i BE