Ndryshimet klimatike cenojnë prodhimin bujqësor global, FMN: Covid, lufta dhe klima, rrezik për tjetër uri globale, lufta mund të shkaktojë inflacion afatgjatë

6 Qershor 2022, 20:30| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 21:52

  • Share

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se bota po rrezikohet nga një krizë urie të shkaktuar nga ndryshimet e forta klimatike, ndërprerja e prodhimit nga pandemia si dhe lufta në Ukrainë. FMN vë në dukje edhe fenomenin negativ ku shumë shtete po kufizojnë importin e ushqimeve për shkak të pasigurisë, dhe kjo gjë mund të sjellë përkeqësim të ushqyerjes.

Jo vetëm lufta dhe pandemia, por inflacioni kërcënohet edhe nga faktorët klimatikë. Në vlerësimin e fundit të bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, thuhet se moti ekstrem, ndërprerjet e lidhura me pandeminë dhe tani pushtimi i Ukrainës nga Rusia kanë rritur çmimet e ushqimeve në nivele rekord.

“Tre kriza të ndërlikuara - COVID-i, konflikti, dhe ndryshimet klimatike - po shkaktojnë një tjetër, krizë urie”, thotë FMN.

Sipas fondit prodhimet dhe korrja e sezonit të vjetshëm u dëmtua nga moti ekstrem, që erdhi pas goditjes që morën zinxhirët e prodhimit gjatë pandemisë.

“Inflacioni është në rritje dhe pandemia vazhdon të rrënojë zinxhirët e furnizimit, ndërkohë që ndryshimet klimatike kërcënojnë prodhimin në shumë prej rajoneve bujqësore të botës, me më shumë thatësirë, përmbytje, nxehtësi dhe zjarre”, thotë FMN.

Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, FMN thotë se pushtimi bllokoi punën në porte, la fushat e pambrojtura dhe nga ana tjetër mund të shkaktojë rritje afatgjatë të çmimeve pasi pritet ulje e rendimentit të të korrurave.

“Përtej ndërprerjes së prodhimit dhe dërgesave të ushqimit, kryesisht nga Ukraina, lufta gjithashtu dëmton prodhimin global të ushqimit përmes efekteve të saj në prodhimin dhe çmimet e plehrave. Kjo ka të ngjarë të mbajë çmimet e ushqimeve të larta vitin e ardhshëm, sepse rendimentet e të korrave do të reduktohen nëse përdoret më pak plehra dhe ajo që rritet do të kushtojë më shumë për të prodhuar”, vijon më tej raporti.

Nga ana tjetër ekspertët vlerësojnë negativisht edhe faktin që shumë vende po ndalojnë dërgesat e drithërave dhe vajrave të gatimit, për shkak të frikës së trazirave sociale. Ky zhvillim sipas fondit sjellë një perspektivë të rëndë për urinë globale. Aktualisht vlerësohet se janë rreth 24 vende në rrezik të lartë të pasigurisë ushqimore.

 

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?