Kronikë

Ndryshime në ligjin e ‘Pastrimit të parave’, përveç politikanëve e gjyqtarëve, qeveria përcakon se kush janë edhe familjarët e tyre që do deklarojnë pasuritë

23 Shtator 2021, 18:40| Përditesimi: 23 Shtator 2021, 19:15

  • Share

Përveç politikanëve, gjyqtarëve dhe qytetarëve të lartë në vend të cilët janë të detyruar të deklarojnë pasuritë e tyre, mazhoranca ka përcaktuar qartë se kush nga familjarët e tyre duhet të deklarojë pasurinë. Kjo bëhet me qëllim parandalimin e përdorimit të subjekteve për pastrimin e parave dhe financimin e kriminalitetit dhe terrorizimit. Shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, janë marrë nga qeveria në mbledhjen e 22 shtatorit, ndërsa projektligji pritet të dorëzohen në Komisionin e Ligjeve për diskutimin dhe më pas për miratim në Kuvend.

Në ligjin për deklarimin e pasurive përfshihen individë, të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit apo jashtë vendit si kryetar shteti, kryeministër, ministër, zv.ministër, anëtarë Kuvendi, politikanë të lartë, gjyqtarë, ambasadorët dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura si dhe drejtuesit e lartë të organizatave të rëndësishme. Me ndryshimet e reja qeveria ka shtuar edhe një nënpikë të re ku do të përfshihet në deklarimin e pasurisë së zyrtarëve edhe anëtarët e tyre  të familjes si bashkëshortja ose bashkëjetuesja, fëmijët dhe partnerët e tyre, prindërit e personit të ekspozuar politikisht por edhe ata persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale pune ose biznesi të zyrtarit. Kontrolli i pasurisë përfshin individët e ekspozuar politikisht deri në 3 vjet pas largimit nga funksioni.

“ Pas pikës 10 shtohen pikat 10/1 dhe 10/2, me këtë përmbajtje:

“10/1. Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë:

a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht;
b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set;
c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.

10/2. Persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë:

a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht;
b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht”, është një nga ndryshimet e propozuara.

Forcimi i ligjit mbi pastrimin e parave do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit  dhe kriminalitetit në vend, ndërsa SPAK ka nisur punën me hetimin e disa zyrtarëve të lartë. Ditën e djeshme Adriatik Llalla u bë zyrtari i parë i nivelit të lartë që u dënua për fshehje të pasurisë me 2 vite burg. Pritshmëritë nga SPAK dhe BKH janë të lartë dhe institucionet  e reja të dala nga reforma në drejtësi kanë një punë të madhe para për të luftuar korrupsionin në nivele të larta qeverisëse.

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?