Trajneri Sylvinho gjatë prezantimit te kombëtarja

Ndihma e qeverisë për FSHF-në, a shkuan 70 milionë lekët për pagën e Sylvinho-s?

10 Janar 2023, 13:57| Përditesimi: 10 Janar 2023, 14:15

  • Share

Në ditët e fundit të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave akordoi një fond prej 70 milionë lekësh për Federatën Shqiptare të Futbollit, por pa specifikuar arsyen. Kjo shifër u dha pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, ndërsa konkretisht thuhet ‘për mbështetjen e ekipit kombëtar të futbollit’. 

Mirëpo sot që Sylvinho është zyrtarizuar si trajner i ri i kombëtares aludohet se kjo shifër mund të ketë shkuar për brazilianin dhe stafin e tij, dy ndihmësat. Më herët është zbuluar se paga e drejtuesve të rinj për periudhën 18-mujore është 1.1 milionë euro dhe ka gjasa që FSHF të ketë kërkuar ndihmën e qeverisë për të mbuluar shpenzimet. Ndoshta jo më kot të dielën, para se zyrtarizohej, Sylvinho dhe stafi i tij u takuan me kryeministrin Rama.

Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që kjo ndihmë për federatën të përdorët për ndonjë qëllim tjetër.

“Nr. 894, datë 27.12.2022 PËR FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT, PËR MBËSHTETJEN E EKIPIT KOMBËTAR TË FUTBOLLIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr. 79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

1. Financimin, në masën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, për financimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për mbështetjen e ekipit kombëtar të futbollit.

2. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e FSHF-së, në bankën e nivelit të dytë/ “Union Bank” sh.a., me numër llogarie 111141628020115, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përkatësisht, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.

3. FSHF-ja, brenda muajit janar 2023, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së të veprimtarisë për të cilën do të përdoret ky fond.

4. Ministria e Arsimit dhe Sportit cakton një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit. Përbërja dhe detyrat e grupit të punës përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR Edi Rama,”-njoftimi i Këshillit të Ministrave.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?